(2L ONLINE) – Administrata Komunale e Gjilanit sot ka pranuar 60 telefona fiks të sistemit VOIP Asteriskë, dhe tani e tutje komunikimi ndërmjet institucioneve lokale, por edhe me ato qendrore, përmes këtyre aparaturave do të bëhet pa kosto financiare.
Raif Ymeri dhe Ylber Berisha nga Agjensioni i Shoqërisë së Informacionit që vepron në Kuadër të Ministrisë së Administratës Publike, kanë ardhur të hënën në Gjilan për t’i sjellë këto aparate.
Raif Ymeri ka thënë për 2L ONLINE, se ky projekt ka të bëjë me krejt regjionet e Kosovës dhe në shumë prej tyre veç janë kryer dhe sot po i sjellin edhe këto 60 aparate telefonike në Gjilan, që janë të një sistemi të tillë që mundësojnë komunikimi ndërinstitucional, qoftë në nivelin lokal, qoftë edhe me nivelin qendror, pa kosto financiare.
Sipas tij, një nivel i tillë i komunikimit ka vite që është funksional në nivel qendror dhe tani është duke u shtrirë edhe në nivele lokale.
Përndryshe, këto aparatura i ka pranuar drejtori i Administratës së Përgjithshme të Komunës së Gjilanit, Nazim Gagica, i cili i ka vlerësuar si tejet të mirëseardhura pas tha se tani e tutje edhe do të rritet efikasiteti e funksionaliteti në punë, por edhe shpenzimet të kësaj natyre do të zvogëlohen, pasi komunikimi do të jetë pa kosto financiare përmes këtyre telefonave.
Gagica tha per 2L ONLINE, se në fakt, ata kishin bërë kërkesa për 74 copë, dhe se kanë pranuar 60 aparatura të tilla, që mundësojnë një sistem të tillë të komunikimit dhe se tani ato do të shpërndahen nëpër drejtori, por edhe në zyrat mobile të gjendjes së civile, me një fjalë, aty ku e shohin më se të arsyeshme. /2L ONLINE/