Drejtoria e Inspekcionit të Komunës së Gjilanit apelon të gjithë shfrytëzuesit e hapësirave publike që t’i përmbahen rregullores komunale për shfrytëzim.
Dretjtori i Inspekcionit, Nevzad Rushiti, ka thënë se nuk do të tolerohet asnjë tejkalim nga ana e bizneseve.
“Të gjithë ata që tejkalojnë shfrytëzimin e hapësirave publike me vendosje të invertarit, do t’i konfiskohet invertari dhe do të pasojnë gjobat mandatare si dhe do të ndëshkohen të gjithë ata që janë pajisur me leje të shfrytëzimit të hapësirave publike. Inspektorët e Drejtorisë janë vazhdimisht në terren për të inspektuar gjendjen. Shpresoj që nuk do të ketë nevojë të ndërmarrim hapa të gjobitjes dhe konfiskimit”, ka thënë Rushiti.
Po ashtu, Rushiti ka njoftuar se Inspektorati po punon 24 orë në inspektim të keqpërdoruesve eventual të ujit të pijshëm, pas urdhëresës së kryetarit Haziri mbi menaxhimin e thatësisë në Komunën e Gjilanit.
“Jemi shumë të kënaqur që urdhëresa e kryetarit po përfillet në mënyrën më të mirë nga qytetarët dhe deri tani nuk kemi pasur asnjë rast të keqpërdorimit të ujit”, ka përfunduar drejtori i Inspekcionit të Gjilanit.