Partia Demokratike e Kosovës reagon ashpër ndaj parregullsive të shumta që po ndodhin nga aktivistë dhe komisionerët e LDK-së, të cilët që nga orët e para të procesit zgjedhor po bëjnë trysni tek qytetarët për të ndikuar në votimin e tyre.
Riad Rashiti, shef i Shtabit zgjedhor të PDK-së ka thënë se në qendrën e votimit në shkollën fillore “Thimi Mitko” në vendvotimin numër 401X/20R kanë votuar 48 qytetarë ndërsa janë përdorur 50 fletëvotime, ku 2 prej tyre janë zhdukur dhe nuk janë të evidentuara si fletvotime të dëmtuara. Në këtë vendvotim kryesuesi është nga radhët e LDK-së.
Sipas tij, në fshatin Llashticë LDK-ja e ka shëndrruar zyrën e Bashkësisë Lokale në shtab zgjedhor të tyre, e cila gjendet pranë qendrës së votimit, duke i bërë presion qytetarëve për të votuar kandidatin e LDK-së për kryetar të Gjilanit dhe për kandidatët për asamble komunale.
Po ashtu edhe në fshatin Livoq i ulët, aktivistë të LDK-së po e pengojnë qytetarin që lirshëm ti drejtohet qendrës së votimit, sepse po ndalohen që të gjithë nga militantët e subjektit të LDK-së.
“PDK i bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Gjilanit, që të mos bien pre e presionit të pushtetit, sepse ky pushtet komunal nga frika e humbjes nuk zgjedhë formë, për të manipuluar kundër vullnetit tuaj”, ka thënë Riad Rashiti.
PDK ka paraqitur ankesat pranë Komisionit Komunal Zgjedhor, duke kërkuar që të merren masat ndaj këtyre parregullsive që janë evidentuar në teren.
Poashtu i bëjmë thirrje publike Policisë së Kosovës që të sigurojnë një proces të rregullt dhe të qetë zgjedhor.
Përndryshe, deri ne ora 11:30, Në komunën e Gjilanit kane dalë për të votuar 10,309 qytetare, që do të thotë 10% nga numri i përgjithshëm me te drejte vote.