Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete në Komunën e Gjilanit bashkë më Asamblenë Komunale të Fëmijëve në Gjilan, kanë organizuar aktivitet në kuadër të fushatës për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha se sot po diskutojnë një çështje që përbën njërën nga plagët më të mëdha të shoqërisë anembanë botës – trafikimi i qenieve njerëzore.
“Trafikimi është një akt i tmerrshëm që cenon dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut, duke i kthyer njerëzit në mallra përfitimi e shfrytëzimi. Në shumë raste, viktimat e trafikimit janë individë të cenueshëm që gjenden në situata të pafavorshme ekonomike, sociale, apo psikologjike”, tha Morina Bunjaku.
Më tej nënkryetarja e komunës, theksoi se këta individë mashtrohen me premtime për punë të ndershme, arsim apo një jetë më të mirë. Por, sapo kapen në rrjetin e trafikimit, atyre u merret liria, dhe shpesh përfundojnë të robëruar, të abuzuar dhe të shfrytëzuar.
Sipas saj është e rëndësishme të kuptojmë se trafikimi i qenieve njerëzore nuk është vetëm një problem i vendeve të tjera, por është një problem që prek edhe shoqërinë tonë. Shumë prej viktimave janë gra dhe fëmijë, të cilët u nënshtrohen kushteve të padurueshme për qëllime shfrytëzimi seksual, punë të detyruar apo të tjera forma të skllavërisë moderne.
Më tej nënkryetarja e Gjilanit, shtoi se lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është një detyrë e përbashkët që kërkon angazhimin e institucioneve, shoqërisë civile dhe çdo qytetari.
“Është thelbësore që të forcojmë ligjet dhe masat ndëshkimore për trafikantët, por gjithashtu duhet të punojmë për rritjen e ndërgjegjësimit publik, edukimin e të rinjve dhe krijimin e rrjetit mbështetës për viktimat e kësaj tragjedie. Si institucione, jemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me forcat e rendit dhe me organizatat joqeveritare për të identifikuar dhe mbrojtur viktimat, si dhe për të parandaluar këtë krim nëpërmjet politikave dhe strategjive të qëndrueshme”, tha Morina Bunjaku.
Ajo shtoi se le të jemi të gjithë bashkë kundër këtij krimi. Të ndihmojmë për të ngritur vetëdijen dhe për të dhënë mbështetjen tonë ndaj atyre që janë ndikuar dhe të shkatërruar nga trafikimi.
Askush nuk duhet të jetojë në frikë, dhe askush nuk duhet të jetë viktimë e trafikantëve. Bashkë mund të bëjmë ndryshimin dhe të krijojmë një botë ku çdo individ jeton i lirë dhe i sigurt, me dinjitet dhe respekt për të drejtat themelore të njeriut.
Verda Isufi, kryetare e Asamblesë Komunale të Fëmijë në Gjilan, tha se përmes artit dhe krijimtarisë, në këtë aktivitet, fëmijët ndanë mesazhe që përçojnë ndjenjat dhe mendimet e tyre kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Edhe Lanika Isufi, tha se fëmijët patën mundësinë të shprehin kreativitetin e tyre përmes punimeve artistike me mesazhe te fuqishme kundër trafikimit. /2LONLINE/