Të mërkurën në Sheshin para Teatrit të Qytetit të Gjilanit është hapur ekspozita e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), e ndarë në dy pjesë, “Vullkani i Republikës” që i kushtohet 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, si dhe “70 vjet Arkiv” për nder të 70-vjetorit të themelimit të arkivit, transmeton Portali 2LONLINE.com/
Me anë të kësaj ekspozite Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, kujton edhe në Gjilan 40 vjetorin e demonstratave të vitit 1981, përmes dokumenteve të përzgjedhura arkivore që i përkasin vitit 1981, apo janë rrjedhojë e asaj kohe si dhe po ashtu përmes dokumenteve të ndryshme shënon edhe 70 vjetorin e themelimit të arkivit.
Kur jemi te pjesa që ka të bëjë me “Vullkanin e Republikës”, dokumentet që ka përzgjedhur organizatori i kësaj ekspozite janë fotografi, aktgjykime nga proceset e shumta, lajme gazetash e revistash legale dhe ilegale, raporte për shkrimet e mediave të huaja, pankarta dhe parulla, që shpërndaheshin gjithandej Kosovës e që i përkasin vitit 1981 apo janë rrjedhojë e asaj kohe dhe dokumente të tjera, transmeton 2LONLINE.com.
Fadil Rexhepi, inspektor i arkivistikës në arkivin ndërkomunal të Gjilanit ka thënë se qytetarët po tregohen të interesuar për këtë ekspozitë të cilën e ka organizuar ASHAK-u, e ku kjo ekspozitë është ndarë në dy pjesë: “Vullkani i Republikës”, ku si temë ka demonstratat e vitit 1981 e ku janë ekspozuar dokumente të ndryshme që kanë të bëjnë me këto demonstrata dhe dokumente që kanë për rrjedhojë zhvillimet e mëvonshme që lidhen me ato demonstrata, dhe në pjesën tjetër: “70 vjet Arkiv”, ku është prezantuar puna e arkivit të Kosovës që nga themelimi e deri më sot.
Në këtë pjesë janë përfshirë dokumente të vjetra, fotografi, publikime, prezantim i veprimtarive te ndryshme, punime shkencore, libra e dokumente të tjera.
Përndryshe, Rexhepi tha se i tërë materiali i ekspozuar është nga fondi i arkivit. /2LONLINE.com/