Në një ceremoni zyrtare, sot në kazermën “Adem Jashari’’ të Komandës së Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë, kadetët e rinj, që do të studiojnë në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, dhanë betimin e kadetit.
Në këtë ditë të veçantë të kadetëve të gjeneratës 2022, ishin të pranishëm: ministri i FSK-s z. Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KFT-së gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Irfete Spahiu, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për FSK-në gjeneral brigade Uwe Becker, gjeneralë e oficerë të tjerë të FSK-së si dhe atashe e oficerë ndërkombëtarë.
Pas rreshtimit dhe intonimit të himnit shtetëror, komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Irfete Spahiu pranoi raportin nga komandanti i Qendrës për Studime Universitare major Vegim Kelani, dhe të dy së bashku bënë revistën para kadetëve të 4 gjeneratave.
Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, ministri Berisha i përgëzoi kadetë e rinj për fillimin e vitit akademik dhe i uroi ata për betimin e kadetit. Ministri vlerësoi lart përzgjedhjen e tyre për t’i shërbyer vendit, duke ju thënë se ju do të kultivoni dhe do të ngrini edhe më lart vlerat e lirisë së vendit tonë.
,,Sot, në këtë ditë të veçantë për FSK-në, për kadetët e gjeneratës 2022 dhe familjet e tyre, ju përgëzoj ju kadetë për përballimin e sfidave dhe për përzgjedhjen tuaj për të studiuar dhe për të shërbyer në FSK. Vendimi juaj për t’u bërë pjesë e FSK-së është një vendim i drejtë sepse nuk ka mision më të shenjtë se sa t’i shërbejmë dhe të kontribuojmë për vlerat e lirisë dhe për sigurinë e vendit tonë’’.
Nga ana e tij, komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, foli për sistemin e shkollimit dhe përgatitjen e oficerëve të FSK-së, të cilët po shkollohen në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, si dhe për kualitetet që ata po bartin në detyrë gjatë shërbimit. Gjithashtu, ai vlerësoi lart edhe përgatitjen akademike të kadetëve në Universitetin Amerikan në Kosovë. Të dyja këto qendra studimi, u shpreh ai, kanë bërë që oficerët e rinj të Forcë së Sigurisë së Kosovës kudo në shkollime dhe trajnime jashtë vendit të jenë të dalluar.
Në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, këtë vit me konkurs të hapur janë përzgjedhur 16 kadetë, prej tyre dy kadetë të gjinisë femërore dhe një kadet nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.