Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti në mjediset e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) ish ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë Dr. Lloyd Axworthy dhe ambasadorin kanadez për Kosovë Daniel Maksymiuk.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, mysafirët nga Kanadaja i njoftoi nga afër me të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe sukseset e pjesëtarëve të saj në ushtrimet dhe trajnimet jashtë vendit. Po ashtu ai foli edhe për ecurinë dhe sfidat e procesit të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës(FAK), si dhe për përfaqësimin e diversitetit të komuniteteve pakicë në FSK, posaçërisht integrimin e komunitetit serb dhe barazinë gjinore.
Ish ministri i Punëve të Jashtme të Kanadasë, Dr. Lloyd Axworthy, shprehu mirënjohje për pritjen e tij nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, duke vlerësuar lartë arritjet e FSK-së, bashkëpunimin e mirë në mes të FSK-së dhe Ushtrisë së Kanadasë, duke theksuar gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet dhe zgjerohet edhe në fusha të tjera të sigurisë dhe mbrojtjes.
Komandanti i FSK-së gjatë këtij takimi ishte i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë së Operacioneve në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), gjeneral brigade Zymer Halimi.