Gjenerali i votuesëve të vdekur!

Gjilan – (2LONLINE) –  Mungesa dhe largimi i moralit nga politka po shpie deri në veprime aq të ulta sa që hynë edhe në “nëntokë”. Vizitat e pushtetarëve në varreza para dhe gjatë fushatës elektorale shpeshtohen në mënyrë që vota e këtij grupi të elektoratit të arrij në destinimin që ata e dëshirojnë!

Dukuria dhe trendi shumë i përhapur i viteve të fundit në vendin tonë, pra fillimisht manipulimi me vota, e sikur kjo të mos mjaftonte manipulimi bëhet edhe me rezultatin. Kjo dukuri është  shkatërruese e demokracisë e me këtë edhe i procesit të shtetndërtimit.

Gjendja ekonomike e sociale në Kosovë,  ka bërë që qytetarët me të drejtë vote, të shesin të drejtën e tyre elektorale me çmime nga më të ndryshmet, qoftë me para apo me gjëra tjera materiale e ushqimore. Personat që më së shumti janë përgjegjës për situatën e lartëpërmendur, janë po ata që e keqpërdorin atë atëherë kur duan e kur kanë nevojë. Pushtetarët po edhe ata që janë të etur për të marrë pushtetin e jo për t’ia kthyer atë sovranit e pushtetarit të vërtetë që është vet Populli, po shndërrohen në Gjeneralë të Votuesve të Vdekur!

Vdekja parimisht është një rit që shpreh pikëllim e dhimbje e që nuk përfundon me manifestimin e tij në këtë botë për të vazhduar në botën tjetër, por zgjatë përderisa jetojnë pasardhës të të vdekurit. Gjeneralët e votuesve të vdekur, ritin e ndrrimit të jetës nuk e konsiderojn pikëllim, cdo vdekje në Republikën e Kosovës, konsiderohet si Votues potencial e ideal. Kjo listë nuk është shumë e gjatë, por këta votues janë shumë besnik ndaj Gjeneralëve.

Trendi i bindjes së elektoratit përmes investimeve dhe premtimeve pak para dhe gjatë fushatës, duke premtuar investime milionëshe, duke premtuar privilegje për individë, grupe dhe lagje të caktuara nuk është trend i ri, po është një veprim të cilit po i skadon afati e që është vshtirë të funksionojë më!

Nëse shihni Gjeneralët të aktivizuar, duke ecur në këmbë e jo në vetura luksose që i ngjajnë drunjëve dekorativ të festave të fundvitit nga dritat vezulluese, mos u quditni, ata vetëm kanë dalur për të takuar ushtarët e tyre, pra Votuesit e vdekur!  

Votues të vdekur nuk janë vetëm ata që gjenden në nëntokë, por edhe ata që nga situate e krijuar nga Gjeneralët, nuk munden ndryshe pos të pranojnë oferta për shitje votash dhe urdhëra për të votuar ata!

Veprimtaria e ushtruar nga Gjeneralët e Votuesve të vdekur është në kundërshtim me ligjet pozitive të Republikës së Kosovës, me parimet themelore që njihen në jurispodencë po edhe me kuantitetin e ligjeve Kosovare, që për fat të keq nuk gjejnë zbatim në praktikë! Parimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë si parime bazë të një shteti ligjor, jo që nuk gjejnë zbatim kohët e fundit por si duket në funksionimin praktik të vendit tonë nuk janë njohur asnjëherë.

Duke u bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, kapitulli të XVIII, mbi Veprat Penale Kundër të Drejtave të Votimit, me nenin 215 thotë:

Neni 215
Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin

1. Kushdo që premton, ofron ose jep ndonjë përfitim ose dhuratë të pamerituar ndonjë personi, me qëllim që të ndikojë atë person për të votuar, për të mos votuar, për të votuar në favor apo kundër një personi apo propozimi të caktuar ose për të hedhur një votë të pavlefshme në zgjedhje apo në referendum, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

2. Kushdo që kërkon ose pranon ndonjë përfitim ose dhuratë të pamerituar për vete ose për ndonjë person tjetër, ose pranon ofertën apo premtimin për përfitim apo dhuratë të tillë, për të votuar ose për të mos votuar, për të votuar në favor apo kundër një personi apo propozimi të caktuar ose për të hedhur një votë të pavlefshme në zgjedhje apo në referendum, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

3. Kushdo që shërben si ndërmjetësues dhe shkel paragrafin 1. ose 2. të këtij neni, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

4. Nëse vepra penale nga paragrafët 1. deri 3. të këtij neni kryhet nga anëtari i Komisionit Zgjedhor ose ndonjë person tjetër gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare në lidhje me votimin, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesë (5) vjet.

5. Dhurata konfiskohet.

Pra, nga neni më lart konkludojmë që ofrimi i një shume të caktuar parash, apo mjeteve tjera materiale me qëllim të keqpërdorimit të së drejtës së votës, duke e shtyrë një person për të votuar apo për të mos votuar një subjekt të caktuar, është vepër e posaçme penale e cila është e sanksionueshme me minimum 1 vjet dhe maksimumi 5 vite burgim.

Përveç që tentimi për të manipuluar me të drejtën e votës së elektoratit është vepër e posaçme penale, edhe keqpërdorimi i Të Drejtës për të Votuar është vepër e sanksionueshme me dispozitat pozitive të Republikës së Kosovës. Kjo qështje rregullohet me nenin 216, ku decidivisht përcaktohet:

Neni 216
Keqpërdorimi i të drejtës së votimit

1. Kushdo që kryen një ose më shumë nga veprat në  vijim, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet:
1.1. voton ose tenton të voton në emër të personit tjetër;
1.2. voton ose tenton të voton edhe pse ka votuar një herë; ose
1.3. shfrytëzon më shumë se një listë votimi.

2. Anëtari i Komisionit Zgjedhor i cili i mundëson tjetrit të kryej ose të tentojë të kryej veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesë (5) vjet.

Nga dy nenet e lartëpërmendura, mbetet të kuptojmë se edhe shtytja e dikujt në cilën do mënyrë për të votuar një subjekt të caktuar, po edhe ai person i cili për qëllime të caktuara keqpërdorë të drejtën e tij për të votuar, do të kryejnë vepër penale që dënohet e sanksionohet nga KPRK.

Marrja e përgjegjësisë për veprime antiligjore e antidemokratike dhe sanksionimi i tyre nënkupton që parimi i ligjshmërisë, mbizotërimi i parimeve demokratike dhe më e rëndësishmja fitorja e atij subjekti për të cilin është përcaktuar elektorati dhe sovrani të jetë në krye të pushtetit, qoftë ai lokal apo ai qendror.  

Së fundmi unë shpresoj që organet komunale të kthehen prap në duart e atyre që duhet të jetë, të kthehen në duart e atyre të cilët vet i japin legjitimitet, të kthehen në duart e sovranit të vërtetë, e të jenë në shërbim të sovranit!

/Alban HYSENI/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE