Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zhvilloi bisedë miqësore, përmes video-lidhjes, për rreth një orë, me gjeneralin amerikan, Wesley Clark, heroin e madh të popullit të Kosovës, i cili si Komandant Suprem i Forcave Aleate ne Evropë i NATO-s, për 78 ditë në vitin 1999, komandoi dhe drejtoi Operacionin e Forcave Aleate të NATO-s, me bombardimet kundër caqeve të forcave serbe.
Me këtë rast, ministri Mehaj, i shprehu gjeneralit Clark, nderin e madh që si ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, të i shprehë edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen e përjetshme në emër të zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarakëve të FSK-së dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për misionin e tij unikal historik, udhëhequr nga vlerat më të larta njerëzore e ushtarake për Lirinë dhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Ju jeni Heroi i Kombit për popullin e Kosovës dhe i tillë do të jeni gjithmonë” i tha ndër të tjera ministri Mehaj. Në vazhdim, ai e njoftoi gjeneralin Clark, me të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe me qëllimet strategjike e objektivat operacionale të tij.
Nga ana e tij, gjeneral Clark, theksoi se përcjellë me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe përgëzoi për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së duke vlerësuar lartë edhe vizionin e ministrit Mehaj për perspektivën zhvillimore të FSK-së. Ai gjithashtu, shprehu vullnetin e tij të plotë për këshillim të ministrit Mehaj nga përvoja e tij ushtarake dhe e diplomacisë së mbrojtjes për të realizuar qëllimet strategjike dhe objektivat e tij operacional.
Më pas, të dy nga sfondi strategjik dhe doktrinar ushtarak, diskutuan për zhvillimet në mjedisin global dhe rajonal të sigurisë si dhe kërcënimet dhe rreziqet me të cilat sfidohet ky mjedis.
Në fund, Ministri Mehaj ftoi gjeneralin Clark për vizitë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, të cilën ai e konfirmoi me kënaqësi, vizitë kjo që do të realizohet së shpejti. /2LONLINE.com/