Gjeneralët e FSK-së, Enver Cikaqi dhe Gëzim Hazrolli takuan Shefin e shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) dhe ligjëruan në “Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes” në Shqipëri.
Zëvendës komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Enver Cikaqi dhe Drejtori i Drejtorisë së Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, qëndruan dje për vizitë në FARSH ku u takuan me Shefin e shtabit të atjeshëm, gjeneralmajor Arben Kingjin dhe diskutuan për çështje të Sigurisë që janë në interes të përbashkët për të dyja palët.
Me këtë rast gjeneral Cikaqi dhe gjeneral Hazrolli, si të ftuar nderi për pjesëmarrësit e programit të “Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes” (KLSM-14), ligjëruan temat: “Mjedisi i sigurisë në Kosovë – rast studimor” dhe “Institucionalizimi i bashkëpunimit në siguri – rasti i Kosovës”.
Gjatë vizitës, gjeneralmajor Cikaqi dhe gjeneralmajor Hazrolli u pritën në takim të veçantë nga komandanti i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, gjeneral brigade Ylli Pulaj, si dhe takuan nga afër kolonelin Avni Kiçina që është pjesë e KLSM-14 si dhe oficerët nga Forca e Sigurisë së Kosovës që janë duke u shkolluar në Republikën e Shqipërisë.
Bashkëpunimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është duke u zhvilluar me qëllim të ngritjes profesionale dhe ndërveprueshmërisë në mes të dy ushtrive. /2LONLINE/