Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, priti në një takim të veçantë delegacionin e Asociacionit të Paktit të Atlantikut të Rinisë së Kosovës, (APARK) i kryesuar nga kryetari i saj Besim Salihu. Salihu informoi gjeneral Bazon rreth aktiviteteve që ata janë duke kryer, si dhe rreth vizionit për të hapur një kolegj për Studime të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Gjilan të Kosovës.
Gjeneralmajor Bazo përgëzoi delegacionin e APARK për nismat që kanë marrë, si dhe për idenë e hapjes së këtij kolegji, i cili do të jetë një kontribut i shtuar në fushën e sigurisë në Kosovë, dhe ofroi gatishmërinë e SHPFA për të asistuar në zhvillimin e kurrikulave për këtë kolegj.
Në fund të takimit, për të nderuar bashkëpunimin dhe përkrahjen e Shqipërisë për APARK, Salihu i akordoi SHSHP të FA një certifikatë mirënjohjeje me motivacion “Për bashkëpunim me YATA Kosovë dhe kontributin e shkëlqyer të dhënë në forcimin e bashkëpunimit rajonal në shtrirjen e vlerave euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor”
Asociacioni i Paktit Atlantik i Rinise se Kosovës, është formuar në korrik të vitit 2009 dhe ka zhvilluar aktivitetin e saj me organizimin e shkollave verore me të rinjtë nga rajoni i Ballkanit dhe më gjerë. Fokus i këtyre aktiviteteve kanë qenë studime të fushës së sigurisë, duke u përqendruar në organizmat kryesore të sigurisë globale si OKB, NATO, OSCE si dhe proceset e integrimit Euro-Atlantik për vendet e Ballkanit dhe më gjerë. Në këtë kuadër, ka patur një bashkëpunim të frytshëm me Ministrinë e Mbrojtjes dhe SHPFA e Republikës së Shqipërisë, gjatë viteve 2010 dhe 2011.