Sot në Viti është mbajtur mbledhja e gjashtë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB). Gjatë këtij takimi në veçanti është folur për gjendjen e sigurisë në këtë komunë e cila sipas përfaqësuesve policor në Viti është shumë e mirë.
Hasan Aliu, zv. Kryetar i Komunës së Vitisë gjatë këtij takimi i njoftoj anëtarët e KKSB-së rreth punëve që ka kryere kjo komunë pas rekomandimeve që ka marrë nga ky këshill.
Ai po ashtu falënderoj të gjithë ata që po bashkëpunojnë me mekanizmat e ndryshme që gjendja e sigurisë në këtë komunë të jetë e mirë në veçanti Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës duke shtuar se ndihet mirë që në Viti rastet e dukurive negative janë të pakta.
Ndërkaq, Agim Lipovica, komandat i Stacionit Policor të Vitisë duke folur për gjendjen e sigurisë në këtë komunë bëri me dije se gjendja e sigurisë është shumë e mirë në komunën e Vitisë.
Ai u shpreh se në këtë komunë nuk ka pasur ndonjë incident të veçantë duke theksuar se në këtë komunë nuk ka incidente ndëretnike.
Ai foli edhe mbi dukurinë e vjedhjeve duke potencuar se falë një operacioni policor nuk ka pasur vjedhje në këtë komunë kohëve të fundit. Lipovica tha se pas kërkesave të këtij këshilli kanë shtuar masat e patrullimit në disa lokalitete për shkak të shpërndarjes së narkotikëve.
Ai tha se kohëve të fundit kanë hasur në dy raste të shpërndarjes së narkotikëve të llojit Kanabis në Pozheran e Viti dhe bëri me dije se të gjitha vende ku ka pasur shpërndarje të substancave të tilla janë në vëzhgim.
Kurse Fatbardha Emini, drejtoreshë e Arsimit në Viti tha se siguria në shkolla të kësaj komune është e qetë dhe se brenda shkollave ka kontrolla të pa paralajmëruar duke theksuar se po marrin masat parandaluese të përhapjes së dukurive negative.
Megjithatë ajo falënderoj të gjitha ata që po ndihmojnë në parandalimin e dukurive negative tek nxënësit në shkolla.
Ndërkaq, gjatë këtij takimi anëtarët e tjerë të këtij këshilli paraqitën edhe shqetësimet e tyre në aspektin e sigurisë si puset e hapura, përdorimi i celularëve në shkolla dhe çështjet e rreziqeve në komunikacion.