Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e nëntë)
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Dhuna dhe terrori në Gjilan dhe rrethinë nga policia serbo-jugosllave gjithnjë e më shumë zgjerohej. Nën akuzat e njëjta për terrorizëm, vazhduan arrestimet, burgosjet dhe ngritjet e akuzave ndaj shqiptarëve, madje edhe nëse të akuzuarit ishin në arrati.
LEXO EDHE: (Pjesa e parë) – (Pjesa e dytë) – (Pjesa e tretë) – (Pjesa e katërt) – (Pjesa e pestë) – (pjesa e gjashtë) – (pjesa e shtatë) – (Pjesa e tetë)
Sipas raportit të gazetës “Bashkimi” nr. 23, të datës 23 nëntor 1998, shkruante se më 11 dhe 12 nëntor 1998, 50 policë serbo-jugosllavë, vazhduan bastisjet dhe arrestimet në Dobërqan. Në aksionin e 11 nëntorit 1998, ishin arrestuar Ismajl Abdyli, zejtar, Halil Halili, futbollist i KF “Gjilanit”, Kemajl Aliu, bujk, Jonuz Aliu, inkasant i Këshillit Komunal të Financimit në Gjilan. Kurse, më 12 nëntor 1998, u arrestuan Sali Shahini, zejtar, dhe Fejzullah Aliu. Të kërkuarit nga policia serbo-jugosllave që ndodheshin në arrati, ishin: Nebi Huruglica, ish polic i SPB-së në Prishtinë, Sinan Abdyli, zejtar, Ibish Ibishi, bujk, Xhafer Kryeziu, Naser Arifi, student, Enver Tahiri, ish i burgosur politik dhe Naser Tahiri.
Më 16 nëntor 1998, gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Gjilan, Zhivorad Stankoviq, të arrestuarve dhe të arratisurve nga Dobërqani, me aktvendim K. Nr. 67/98, ia caktoi paraburgimin prej 30 ditësh për akuzën “bashkim për veprimtari armiqësore – terrorizëm” sipas nenit 136 dhe nenit 125 të Ligjit Penal të Jugosllavisë.
Sipas këtij numri të gazetës javore “Bashkimi”, të arrestuar më 11 nëntor 1998, ishin edhe Adnan Avdyli, autotransporutes, i cili ishte marrë pengë në vend të vëllait të tij Sinan Avdyli, Shaqir Bislimi teknolog, Isuf Avdyli, punëtor privat dhe Nazim Avdyli, ish punëtor i MPP në Gjilan, që të gjithë nga Dobërqani. Këta pasi ishin marrë në biseda informative, ishin liruar. Kurse, Adnan Avdyli ishte keqtrajtuar duke përdor ndaj tij edhe dhunë fizike.
Të gjithë të paraburgosurit dhe të arratisurit nga fshati Dobërqan i Gjilanit ishin akuzuar nga Gjykata e Qarkut në Gjilan se, në vitin 1991 kishin formuar grup “terrorist dhe diversant”, të cilin sipas tyre e udhëhoqi Nebih Huruglica, ish polic i SPB në Prishtinë. Qëllimi i këtij grupi gjoja se ishte aftësimi i tyre për të kryer aksione “terroriste”. Në akuzë gjithashtu theksohej se ky grup kishte organizuar ushtrime për përdorimin e armëve të zjarrit dhe stërvitje fizike për të fituar forcë fizike. Sipas aktakuzës të gjitha këto veprime të ndërmarra nga grupi kishin për qëllim që të shkëpusin Kosovën nga Jugosllavia dhe ta bashkojnë me Shqipërinë.
Kurse, sipas numrit 18, të gazetës “Bashkimi”, të datës 28 nëntor 1998, policia serbo-jugosllave kishte ftuar në biseda informative Xhevat Nezirin, kimist, i cili ishte nënkryetar i Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë” në Gjilan, me vendbanim në Gjilan. Gjatë dy orëve të mbajtur në biseda informative, në stacionin policor, inspektori i quajtur Dragan, kishte pyetur për “organizimin ushtarak”, kinse të bërë nga Xhevat Neziri në Gjilan. Gjithashtu ishte pyetur me pretekstin se ai kishte pasur një takim me një person nga Vushtrria për një organizim ushtarak në Gjilan. /vazhdon/