Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e dytë)
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Gjendja në Kosovë gjithnjë shkonte duke u destabilizuar dhe duke u hapur fronte te reja të luftës. Kjo gjendje e përfshinte edhe Gjilanin. Sipas raportit të Komisionit për Informim në BSPGj, situata në komunën e Gjilanit ishte e tensionuar dhe e pasigurt.
Në fshatin Ponesh, te vendi i quajtur “Quka” në rrugën që i lidhte fshatrat e Malësisë së Zhegocit, ishte vendosur një postbllok i policisë serbo-jugosllave. Kontrollet policore-ushtarake, lëvizjet e ushtrisë në bjeshkët e Karadakut, të shtënat e armëve të llojeve të ndryshme, fluturimi ditën i aeroplanëve zhurmues ushtarakë, bllokada ekonomike ndaj qytetit të Gjilanit, ishin bërë pjesë e përditshme e qytetarëve gjilanasë. Shteti serbo-jugosllav bënte edhe armatosjen e popullsisë civile serbe. Kështu, për këtë qëllim, më 12 gusht 1998, në ora 12 e 30 minuta, një kamion i kompanisë shtetërore “Trajko Periq”, kishte zbarkuar armë e municion në stacionin policor në Gjilan para syve të kalimtarëve.
Në Raportin e KMDLNJ, të degës së Gjilanit, shkruante për arrestime të reja në Gjilan e sidomos të veprimtarëve të Bashkimit të Subjekteve Politike. Më 15 gusht 1998, në biseda informative nga pushteti serb, u thirr Abdullah Tahiri, kryetar i nëndegës së BSPGJ-së (Bashkimi i Subjekteve Politike të Gjilanit), i cili ishte arrestuar deri sa udhëtonte nga Malisheva për në Gjilan për të marrë pjesë në mbledhje të thirrur nga ky subjekt. Abdullah Tahiri ishte prangosur nga Sigurimi Shtetëror Serb dhe ishte urdhëruar bastisja e shtëpisë së tij. Gjatë rrugës për të shkuar në shtëpinë e Abdullah Tahirit, policia serbo-jugosllave kishte marrë me dhunë dy bashkëfshatarë të tij dhe pasi ua kishin vendosur prangat, i marrin me vete si dëshmitarë të bastisjes që po planifikonin të bënin në Malishevë. Nga sigurimi serb ishin bastisur e demoluar shtëpia e Abdullah Tahirit, e prindërve të tij dhe shtëpia e vjetër e pabanuar. Gjithashtu, bastisjes nuk i shpëtoi as shtëpia e Bejtullah Tahirit dhe oborret e fqinjëve të familjes së Abdullah Tahirit. Gjatë gjithë kohës së bastisjes familja e Abdullahut kishte qëndruar e ngujuar në një dhomë për të mos parë se çfarë po ndodhte në shtëpinë e tyre.
Përveç Abdullah Tahirit, të ftuar në biseda informative nga Sigurimi Shtetëror Serb ishin edhe Idriz Idrizi nga nëndega e BSPGJ-së në Shurdhan, Hevzi Xhelili, Naim Rasimi dhe Rexhep Shemsiu, anëtarë të kryesisë së BSPGJ-së në Përlepnicë, Vehbi Kçiku, kryetar i BSPGJ-së, nëndega në Bresalc dhe Abdurrahman Musliu e Ibrahim Salihu nga kryesia e BSPGJ-së, në Livoç të Epërm. Këta të fundit, njëri në ora 11 e 30 dhe tjetri në ora 12:00, duhej të lajmoheshin në stacionin policor në Gjilan. Abdurrahman Musliun në pyetje e kishte marrë inspektori i Sigurimit Shtetëror Serb që kishte vepruar në stacionin policor në Gjilan, Sinisha Paviq. Të gjithë këta pasi që kanë dalë nga stacioni policor, kishin deklaruar se inspektorët policorë kryesisht interesoheshin për aktivitetin e BSPGJ-së, gjendjen e sigurisë në lokalitetet e tyre si dhe i kishin kërcënuar se, nëse nuk do ta zhvillonin aktivitetin në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të pësonin keq.
Më 20 gusht 1998, Sigurimi Shtetëror Serb, në mëngjesin e hershëm kishte bastisur e demoluar katër shtëpi në Malishevë. Aty, nën pretekstin e gjetjes së armëve, u kërkuan për t’u arrestuar Bashkim Hamdiu dhe vëllai i tij Vllaznim Hamdiu. Meqë nuk ishin në shtëpi, policia arrestoi vëllain e tyre Afrim Hamdiun dhe përdori dhunë fizike ndaj xhaxhait Sadri Hamdiu.
Nën pretekstin e kërkimit të armëve, bastisjet e arrestimet vazhduan edhe në shtëpinë e Fehmi Halilit që jetonte në Zvicër. Policia serbe kërkonte djemtë e tij Fatmirin dhe Shemsedinin, të cilët nuk i gjetën në shtëpi, por nga shtëpia e tyre konfiskuan videokaseta, fotografi familjare, çelësat e traktorit, çelësat e veturës me tabela, dokumentacionin si dhe konfiskuan pasaportën e Fatmirit dhe gruas së tij. (Vazhdon)