(2LONLINE) – Në fshatin Smirë të Vitisë është mbajtur debati me temën “Problemet me ujin e pijes në lokalitetet dhe shkollat e Komunës së Vitisë e cila është organizuar nga OJQ-“Elita”-Viti dhe në përkrahje të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).
Në këtë debat ku përveç përfaqësuesve të qeverisë Komunale kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të fshatrave Smirë, Gërmovë, Goshicë,Vërba,Drobesh dhe Sadovinë e Jerlive kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Kompanisë së ujësjellësit “Hidromorava”. Gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm në komunën e Vitisë është paraqitur si alarmante pasi që sipas pjesëmarrësve në këtë debat në shumicën e rasteve nuk janë bërë analiza e cila do të përcaktonte a është uji i pijshëm apo jo mandej as edhe në shkollat e saj.
Me këtë rast zv. Kryetari i Komunës së Vitisë Hasan Aliu u shpreh se debati i sotëm është i një rëndësie shumë të veçantë duke theksuar se qeverisja komunale në Viti do të angazhohet që të bëjë gjithçka për normalizimin dhe përmirësimin e gjendjes eksituese. Ai shtoi se gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm nëkëtë komunë është alarmante pasi që në shumë raste nuk dihet se çfarë lloj të ujit konsumojnë qytetarët.
“Gjendja me ujë të pijshëm në Viti është alarmante dhe atë po bazohem se shumica e qytetarëve të Vitisë nuk kanë njohuri se çfarë uji po konsumojnë dhe atë pasi që nuk janë bërë analiza të cilat do ta përcaktonin cilësinë e ujit” u shpreh Aliu. Ai gjithashtu është zotuar se Qeveria Komunale në Viti do të bëjë analizat e nevojshme për përcaktimin e ujit të pijshëm duke theksuar se prioritet kryesor do të ipet 35 shkollave të kësaj komune.
Ndërsa Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës Nexhmedin Jakupi duke folur lidhur me gjendjen e ujit në Komunën e Vitisë tha se një problem thelbësorë përveç mungesës së analizave laborterike janë edhe mungesa e menaxhimit të rrjetit të ujësjellësit nga kompanitë përkatëse.
”Përfundimi i një projekti të ujësjellësit dhe mos menaxhimi dhe mirëmbajtja e saj nga kompanitë përkatëse janë dështim, pasi që prapë qytetarët mbesin pa ujë” u shpreh Jakupi. Ndërsa Kemur Mustafa nga Kompania “Hidromorava” tha se jo të gjitha lokalitet të cilët kanë të përfunduar sistemin e ujësjellësit janë në menaxhim të kësaj kompanie dhe atë sipas tij për shkak të disa problemeve teknike.
Ai shtoi se fabrika e cila furnizon qytetin e Vitisë me ujë ka një kapacitet prej 40l në sekondë por theksoj se kjo duhet të rritet se paku edhe për 10l sek, ndërkaq vuri re se gjithashtu problem paraqesin gypat e vjetruara dhe sipas tij duhet të shikohen mundësitë që të fillojnë me zëvendësimin e tyre.
Ndërsa Inspektori Sanitar Sadik Rexhepi, paraqiti shqetësimet lidhur me cilësinë e ujit në këtë komunë duke theksuara se shumica e rrjetit të ujësjellësit janë të pa monitoruar.
“Kërkoj nga përfaqësuesit e fshatrave që të insistojnë për vendbanimet e tyre që të behët kontrollimi i ujit dhe atë në aspektin kimiko-fizik dhe bakteriologjik me qëllim që të dihet se çfarë uji ata konsumojnë” u shpreh Rexhepi.
Sipas tij problem tjetër mbetet edhe uji në shkolla ku prej vitit 2009 e këndej nuk përcillet cilësia e ujit por ai shtoi se nga analizat e më hershme del se 70% e ujit në Komunën e Vitisë në aspektin bakteriologjik është i kontaminuar.
Më pas është hapur një debat ku qytetarët e fshatrave pjesëmarrëse kanë paraqitur problemet të cilat i kanë lokalitetet e tyre me ujë të pijshëm. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Drejtori i OSBE-së për Regjionin e Gjilanit Ulirch Biffar dhe përfaqësuesi i KDI-së Jetmir Bakia./2lonline/