Rreth 1 mijë e 5 qind mendohet të jetë numri i të vrarëve për motive politike, gjatë, para dhe pas luftës në Kosovë.Këto të dhëna i posedon kryetari i shoqatës “Thirrje për drejtësi”, Ymer Ymeri i cili për “Bota sot”, thotë se me gjithë frikën për të folur, çdo ditë e më shumë po i paraqiten raste të reja të familjarëve të cilët konsiderojnë se të afërmit e tyre janë vrarë për motive politike.
Ymeri thotë se për këto vrasje më së miri dinë institucionet e Kosovës, të cilave sipas tij kjo shoqatë do t`iu drejtohet gjatë ditëve në vijim me një letër për ti kërkuar zbulimin e tyre.
“Hapat tanë të ardhshëm janë gjithnjë për zbulimin e vrasjeve. Për çdo ditë po lajmërohen njerëz të ri, ata po kanë frikë të flasin por prapë se prapë s`do të ndalemi pa u zbuluar këto vrasje, se këto adresën nuk e kanë larg, këtë më së miri e dinë institucionet tona. Gjatë këtyre ditëve do t`ju shkruajmë të gjitha institucioneve dhe besoj se do të rrëqethen pak edhe nëse s`kanë qëllim t`i zbulojnë këto vrasje”, shprehet Ymeri.