Komuna e Kamenicës ka shpërndarë gjashtë laptopë nxënësve të cilët kishin vështirësi në ndjekjen e mësimit online. Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati duke falenderuar komapninë Elkos Group për dhurimin e këtyre laptopëve ka thënë se tani këta nxënës do ta ndjekin mësimin nga distanca.
“Edhe gjashtë laptopë të dhuruar nga Elkos Group, ua kemi dorëzuar nxënësve që kanë më së shumti nevojë për pajisje teknologjike. 29 nxënxës nga komuna jonë tani mund të ndjekin mësimin nga distanca, të barabartë me fëmijët tjerë. Faleminderit donatorëve”, ka thënë Kastrati.
Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Mirhane Morina tha se këta nxënës kishin vështirësi të kyçen në mësimin online në mungesë të pajisjeve teknologjike por tani do ta kenë më të lehtë.
“Falenderojmë donatorët për dhurimin e këtyre laptopëve për nxënësit të cilët kishin vështirësi në ndjekjen e mësimit. Përzgjedhja e nxënësve për dhurimin e tyre ka qenë në bazë të gjendjes ekonomike. Ne po mundohemi me mundësitë tona të gjejmë donatorë që nxënësit tanë të mos kenë mungesa në mësimin online gjatë kësaj kohe të pandemisë”, ka thënë ajo.