Nënshkrimi i kontratës për Termocentralin “Kosova e Re”, është hapi i parë i duhur për rregullimin e sektorit energjetik si një nga mekanizmat kryesor për zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos të sektorit të prodhimit. Kështu ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka pas takimit që ka zhvilluar me Kryatarin e Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, i shoqëruar nga një delegacion i përfaqësuesve të bizneseve.
Me këtë rast, Ministri Lluka tha se stabiliteteit energjetik do të ndikojë në uljen e humbjeve vjetore në sektorin privat, duke shtuar se janë mbi 300 milionë euro humbje vjetore për shkak të ndërprerjeve të paplanifikuara si dhe mos qasjes në energji stabile në vend.
“Gjatë takimit diskutuam për marrëveshjen e nënshkruar për TC “Kosova e Re”, gjithashtu diskutuam për të ardhmen në sektorin energjetik, i cili është një sektor kritik për ekonominë e vendit, është bazamenti i një zhvillimi të mirfilltë ekonomik të vendit” ka thënë Lluka, i cili ka informuar përfaqësuesit e biznesit me detajet e kontratës dhe mundesitë që ofron ky sektor, si në aspektin e gjenerimit, efiçiencën e energjisë dhe realizimin e tregut të përbashkët energjetik me Shqipërinë.
Ndërsa, Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se viti 2017 dhe fillimi i vititi 2018 karakterizohen si vite të dialogut publiko-privat, duke falënderuar Ministrin Lluka për një dialog të veçantë me MZHE –në.
Gërxhaliua me tej ka thënë se projekti i Termocentralit Kosova e Re është i rëndësisë së posaçme për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Është nënshkruar një kontratë për termocentralin ‘Kosova e Re’ e që është një kontratë që ka rëndësi strategjike ekonomike dhe integruese. Ajo që e karakterizon këtë kontratë dhe duhet të jetë model edhe për institucionet e tjera, është transparenca që është deshmuar ditëve të fundit. Në këtë drejtim më gëzon fakti që Ministri Lluka po e vë një standard të ri sa i përket këtyre projekteve, që për fat të keq nuk ka qenë në të kaluarën”, ka pohuar Gerxhaliu.
Më tej Gërxhaliu tha se OEK mbështet fuqishëm projektin e Tremocentralit Kosova e Re dhe nënvizoi se nëse dikush mendon të bëjë diç për ekonominë e vendit, atëherë duhet ta mbështesë këtë projekt. “Le të jetë si apel nga Oda Ekonomike e Kosovës për Parlamentin e Republikës së Kosovës që ta mbështesë këtë projekt, ta votojë, sepse 13 vite kanë lënë gjurmë në ekonominë kosovare dhe nuk mund të humbet më shumë kohë”, ka thënë Gërxhaliu.
I pari i OEK-ut, ka vënë në dukje mundësitë e punësimit gjatë procesit të ndërtimit të TC “Kosova e Re“, pasi ky projekt mund të punësojë më shumë se dhjetë mijë persona, derisa do të ketë 500 deri 700 të punësuar gjatë operimit.
Ndryshe, Gërxhaliu ishte i shoqëruar nga përfaqësues të bizneseve, nga sektorët e prodhimit, ndërtimtarisë, përpunimit të metaleve, të cilat janë konsumues jashtëzakonisht të mëdhenj të energjisë, të cilët dhe njëherë i kanë dhënë mbështetje projektit “Kosova e Re”.