Hulumtimi për gjetjen e mbetjeve mortore, të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, vazhduan edhe gjatë ditës së premte, në Rudnicë të Rashkës.
Këtë e ka konfirmuar edhe shefi i ekipit të Mjekësisë ligjore nga Kosova, Arsim Gërxhaliu, i cili tash e tre ditë gjendet në Rudnicë të Rashkës.
Gërxhaliu i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të premten është punuar për pastrimin sipërfaqësor të vendit që tashmë me arsye dyshohet se është varrezë masive, për faktin se më herët në po të njëjtin vend janë gjetur mbetjet mortore të dy personave, të cilët kanë rezultuar të jenë shqiptarë të Kosovës, të fshatit Rrezallë e komunës së Skënderajt, të vrarë nga forcat serbe.
Gërxhaliu ka thënë se është duke u bërë lokalizimi i dheut me flamuj, rreth e përqark vendit, ku sipas tij, ngjyra e dheut ndryshon dhe jep për të kuptuar se aty është punuar më parë.
Megjithatë, siç thotë ai, tashmë në disa vende kanë dalë në sipërfaqe disa mbetje të tjera mortore.
‘Në disa vende kanë dalë disa mbetje të tjera mortore, të vogla. Kemi bërë pastrimin e mbetjeve të pjesës së hequr të dheut që bora dhe shiu, gjatë dimrit, i kanë pastruar. Do të vazhdojmë edhe më tutje, deri në lokalizimin përfundimtarë. Pastaj, nga pjesa e poshtme, aty ku janë gjetur në dhjetor, të bëjmë depërtimin deri tek mbetjet mortore”, tha Gërxhaliu.
Ai ka thënë për Radio Evropa e Lirë, se terreni te varreza masive në Rudnicë është ende në shenjim e sipër.
Ndryshe, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur, e cila shënohet me 27 prill, Rashkën të premten e ka vizituar edhe një delegacion i përbërë nga zyrtarë të Komisionin qeveritar për të pagjeturit, përfaqësues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, si dhe vetë familjarë të këtyre personave.