Kuvendi Komunal i Gjilanit ka caktuar edhe një komision gjashtë anëtarësh, nga përfaqësues të subjekteve politike, që përfaqësohen në organin vendimmarrës, i cili udhëhiqet nga kryetari i përbërjes së vjetër, Ibrahim Salihu dhe ka për detyrë të bëjë përzgjedhjen e 25 familjeve përfituese.
Xhemajl Salihu, Drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqeni Sociale, ka thënë se interesimi për të siguruar strehim, është mjaft i madh, duke nënvizuar të dhënën se në konkursin për banim social, janë paraqitur 237 aplikues.
“Komisioni ka filluar vizitat në të gjitha familjet aplikuese, në mënyrë që pos dokumentacionit të ofruar sipas kushteve të konkursit, të verifikojë edhe gjendjen reale të banimit të tyre, pasi që kërkesat janë gati dhjetë herë më të mëdha se sa mundësitë, pavarësisht se ky është objekti i dytë për banim social që ndërtohet në Gjilan”, ka thënë drejtori Salihu.
Ai tha se për dallim nga hera e parë, tani interesimi për të përfituar banim social, është dukshëm më i madh. Për strehim në objektin e parë kishin aplikuar 136 familje, derisa tani kanë aplikuar 237 familje./2lonline/