“Duke e parë këtë seriozitet, gatishmëri, vendosmëri dhe unitet tuajin këtu në Gjilan, unë po e shoh pjesën e ndryshimit në Gjilan nga e cila do të fitojë Gjilani dhe qytetarët e saj”, ka thënë kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, me rastin e hapjes së fushatës së brendshme zgjedhore të degës së PDK-së në Gjilan.
“Dekada e Re”, është sllogan i PDK-së për këto zgjedhje, është një motiv, një mision, një vizion që duhet ta ketë Kosova. PDK, assesi nuk do të jetë inferiore ndaj atyre që e kanë vënë në mëdyshje ekzistencën e shtetësisë së Kosovës. Prandaj “Dekada e Re’’, do të jetë vendimtare për proceset avancuese të shtetësisë së Kosovës. Fundja, PDK-ja e ka dëshmuar këtë, me marrjen e vendimeve të mëdha historike për Kosovën, – theksoi Veseli
Ai ka konfirmuar përkrahjen për degën në Gjilan, inkurajoi aktivistët, anëtarësinë e PDK-së dhe gjithë të interesuarit, që të inkuadrohen në këtë proces të hapur demokratik zgjedhor dhe të kontribuojnë për zgjedhjen e njerëzve më të mirë, në të gjitha strukturat e degës e të nëndegëve, garë kjo jo vetëm për PDK-në, por garë për Kosovën e Gjilanin.
Të pranishmëve, me një fjalë rasti iu është drejtuar edhe kryetari i degës,Zenun Pajaziti dhe zëvendësministrja, Leonora Morina Bunjaku.
Përndryshe, përveç në Gjilan, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në hapjen e procesit zgjedhor partiak edhe në degët e Kamenicës, Vitisë, Hanit të Elezit, Istogut dhe Hasit, ku ka kërkuar mobilizim dhe hapje të partisë, për siç ka thënë ardhjen e sa më shumë intelektualëve e njerëzve më të mirë nga të gjitha lagjet dhe fshatrat e komunave përkatëse.