Të rritet koeficienti i pagës për mësimdhënësit, mjekët specialistë të mjekësisë familjare dhe infermierët

Të rritet koeficienti i pagës për mësimdhënësit, mjekët specialistë të mjekësisë familjare dhe infermierët

Gjatë seancës së fundit, një nga pikat më të rëndësishme ishte edhe pika 20 – Shqyrtimi i Projektligjit për pagat në sektorin publik. Në shtojcën apo aneksin e këtij projektligji, është edhe tabela e titujve të pozitave dhe gradimeve në punë, klasat dhe koeficientët.

Valentina Bunhjaku – Rexhepi, deputete

Prej klasës A1 që fillon me koeficientin më të lartë për pozitën e presidentit, me koeficient 12.00 e gjer në klasën A29, që përfundon me pozitën: Rekrut në FSK, me koeficient 1.00; pastaj kemi prej klasave B1 që fillon me drejtorët e lartë, si të doganave, të policisë etj., me koeficient 6.00 dhe përfundon me klasën B5, me titullin e pozitës: Drejtor i Instituteve Hulumtuese – Shkencore, me koeficient 4.50; prej titullit të punës: Drejtor i Drejtorisë në Doganë, nga klasa C1 me koeficient 5.00, e deri në klasën C15 me koeficient 2.00; prej klasës D1 me koeficient 6.20 me titull të pozitës:

Profesor i rregullt, Profesor emeritus, Këshilltar shkencor e deri në klasën D27, Kadet policor e doganor, me koeficient 1.00; prej klasës E1, me koeficient 2.20, në pozitën e punës: Nëpunës i Kabinetit 1, në kabinete politike në Presidencë, Kuvend, Zyre të Kryeministrit (asistent administrativ, vozitës, mbrojtje e afërt, staf mbështetës dhe pozita të ngjashme), e deri në klasën E6, me koeficient 1.15, në pozitën e punës: Staf administrativo -teknik 4, në të gjitha institucionet e administratës publike (roje, kopshtar, shtëpiak, pastrues, autolarës, rrobalarës dhe pozita të ngjashme).

Sipas projektligjit, vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij projektligji do të jetë 239 euro. Ajo që na ka brengosur neve si deputete, por edhe mësimdhënësit, mjekët specialistë të mjekësisë familjare, infermierët dhe disa kategori të tjera, ka qenë koeficienti i tyre. Ne si deputete kërkojmë që Projektligji për pagat në sektorin publik, të ndryshohet dhe të merren parasysh pakënaqësitë e mësimdhënësve, mjekëve specialistë të mjekësisë familjare, infermierëve etj.

Ne kërkojmë që të paktën, të bëhen këto ndryshime të menjëhershme: Mjeku specialist i mjekësisë familjare nga koeficienti 4.50 të bëhet me koeficientin 5.00; mësimdhënësit e shkollës fillore dhe të mesme, nga koeficienti prej 2.30 dhe 2.00, të bëhen me koeficientin prej 3.00; po ashtu, infermierët nga koeficienti 2.20 të bëhen me koeficientin 2.50.

KOMENTE