Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i janë përgatitur që të intervenojnë menjëherë nëse kërcënohet procesi zgjedhor apo rrezikohet qetësia dhe siguria e votuesve, anëtarëve të komisioneve zgjedhore, lehtësuesve të OSBE-së apo vëzhguesve.
Në deklaratën e përbashkët të PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it me rastin e balotazhit për zgjedhjet komunale që mbahen të dielën më 1 dhjetor thuhet se janë marrë të gjitha masat e sigurisë të parapara me rastin e balotazhit, e të cilat janë planifikuar, përgatitur dhe koordinuar me kujdes nga Policia e Kosovës, EULEX-I dhe KFOR-i.
”Kujdes i veçantë do t’i kushtohet veriut në rrethin e dytë të votimit për kryetar komune në veri të Mitrovicës dhe ri-votimit të pjesshëm në Zveçan.
Policia e Kosovës, si intervenues i parë do të jetë e pranishme jashtë qendrave të votimit dhe pikave tjetra kyçe, e përkrahur dukshëm nga EULEX-i, si intervenues i dytë. KFOR-i, si intervenues i tretë, do të jetë i dukshëm afër qendrave të votimit dhe do të vendosë trupa të përqendruar në veri. KFOR-i ka aftësinë për të dërguar trupa në çdo pjesë të Kosovës, në mënyrë që të përkrahë Policinë e Kosovës që të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt.
Si në raundet e mëparshme, operacioni në veri është projektuar për të garantuar të drejtën e njerëzve për të votuar, dhe që procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe të rregullt.
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i janë përgatitur që të intervenojnë menjëherë nëse kërcënohet procesi zgjedhor apo rrezikohet qetësia dhe siguria e votuesve, anëtarëve të komisioneve zgjedhore, lehtësuesve të OSBE-së apo vëzhguesve.
Bashkërendimi mes Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it dhe OSBE-së vazhdon të jetë i shkëlqyeshëm”, thuhet në komunikatë.