Zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë duket se kanë zgjuar interesim sidomos te kandidaturat e pavarura. Njëra nga to që do të synojë pozitën e të parit në komunë ne Gjilanit është edhe kandidatura e Gani Nezirit, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Neziri e ka konfirmuar për 2LONLINE.com, se i ka ndarë rrugët me subjektin e tij politik, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), me të cilën ka rrugëtuar tani e 20 vite, duke qenë identitet i kësaj sigle, dhe për këtë ai e pranon edhe vet se ishte ndër vendimet më të vështira që i ka ndërmarrë.
Madje këtë ndarje ai e krahason me ndarjet që bëhen në familje mes vëllezërve të një nëne dhe se kujtimet më të mira brenda partisë e bëjnë edhe të përlotët, pasi partia për të, ngjasonte në një familje.
“Njëzet vjet aktivitet politik brenda partisë dhe “papritmas” vjen moment i ndarjes me apo pa të drejtë, krejt ashtu sikur ndahesh nga vëllezërit e një nëne”, thotë Neziri, për të shtuar se dëshiron t’i vë në dijeni gjithë publikun gjilanas, e veçanërisht anëtarët e Partisë Demokratike së që nga sot ka shpallur kandidaturën e pavarur për Kryetar të Komunës së Gjilanit duke u ndarë veçse fizikisht nga Partia por, jo edhe emocionalisht.
“Pra, sot kam dorëzuar në KQZ dokumentacionin e kompletuar si Kandidat i Pavarur për Kryetar të Komunës së Gjilanit. Rrugëtimin e kam filluar nga Zyra e Kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit z.Rufki Suma si shembulli më i mirë në nivel shteti si duhet fituar besimin e qytetarëve nga të gjitha përkatësitë partiake. Asgjë nuk është e pamundur, tha Ai. Është larg vetëm atje ku nuk do të shkosh!”, është shprehur Neziri, transmeton 2LONLINE.com.
Ai tha se ka ardhur koha që qytetarët anamoravas ta kenë kuptuar se u bënë shumë vite duke iu shërbyer rajoneve tjera nëpërmjet partive tona dhe liderëve gjilanas.
“Nëpërmjet LDK-së po u shërbehet llapjanëve, nëpërmjet PDK-së po u shërbehet Drenicalive, nëpërmjet AAK-së po i shërbehet Dukagjinit dhe nëpërmjet VV-së po u shërbehet sheherlive të Prishtinës. Deri kur kjo?! Mendoj se është momenti që ta kuptojnë se veç një kryetar i pavarur nga partitë mund të jetë në shërbim të Gjilanit dhe gjilanasve”, thotë Gani Neziri, i cili beson fuqimisht se do ta ketë mbështetjen e qytetarëve pa dallim partie dhe do të jetë në krye të një Komune e cila do të jetë e gjilanasve. /2LONLINE.com/