Pas aksionit për ndërtimin e 100 shtëpive në Luginë të Preshevës, Fondi Humanitar i Kosovës Lindore me seli në Zvicër organizon gala mbrëmje për të ndihmuar zhvillimin dhe ruajtjen e substancës shqiptare në këtë rajon.
Gala mbrëmja e zhvilluar në Prishtinë me moton “të ndërtojmë, të shpëtojmë, të parandalojmë” do të pasohet me gala mbrëmjen e dytë të Fondit që ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe kështu ruajtjen e substancës shqiptare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
“Ruajtja e substancës shqiptare në Kosovën Lindore – Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Fondi Humanitar nuk do të anashkalojë asnjë bashkëkombas tonin, e që mos t`ia japë rastin për të kontribue për ruajtjen e kësaj substance – shqiptare. Kështu, për këtë qëllim, fondi ka organizuar një gala mbrëmje me biznes- men shqiptarë në Zvicër, për të cilën mbrëmje me shumë nderë e respekt ju ftojmë edhe juve”, thuhet në kumtesën e Fondit, transmeton Titulli.com.
Sipas organizatorëve, gala mbrëmja mbahet në Zvicër, më 7 qershor të këtij viti, në adresën “Pizzeria Kongreszentrum Salmen”, Uitikonerstr. 17, 8952 Schlieren ZH, me fillim në orën 14h.
“Pjesëmarrja juaj nderon Fondin, nderon kombin”, thuhet në fund të kumtesës.
Fondi Humanitar i Kosovës Lindore në shtator të vitit 2013 ka mbajtur gala mbrëmjen në Prishtinë për ndërtimin e 100 shtëpive, projekt i cili po vazhdon edhe më tutje të realizohet në Luginë të Preshevës.