Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri bashkë me Diellza Kukajn dhe Nazim Gagicën, anëtarë të kryesisë të kësaj partie, kanë thënë se qeveria e Kosovës në emër të reformës e ka deformuar në esencë administratën shtetërore me miratimin e dy ligjeve, Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin e Pagave.
Lidhur me këtë, anëtari i kryesisë së AAK-së, Nazim Gagica, që njëherësh është edhe kryetar dege në Gjilan, ka thënë se sot bashkë me Shefin e Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri dhe Diellza Kukaj, kanë shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e Qeverisë së Kosovës ndaj administratës shtetërore.
“Qeveria e Kosovës e në emër të reformës e ka deformuar në esencë administratën shtetërore me miratimin e dy ligjeve, që kthen e Kosovën në kohën e UNMIK-ut. Nuk ka vend as në Evropë e as në Ballkanin Perëndimor, i cili mundohet që me ligj ta kapë administratën shtetërore, ku përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë, 1600 pozita të shërbimit publik në karrierë i kthen në pozita me mandat politik katërvjeçar. Me këtë e bënë një goditje të madhe ndaj shtetit të Kosovës, administratës dhe meritokracisë”, ka thënë Gsgica.
Sipas tij, raporti i BE-së, i cili është dorëzuar më 7 tetor të këtij viti, e kundërshton fuqishëm këtë ligj. Po ashtu, mendimi ligjor i organizatës SIGMA, që është dorëzuar në gusht të vitit 2022, e kundërshton fuqishëm Ligjin për Zyrtarët e Lartë Publikë.
Ligji për Zyrtarët e Lartë Publikë dhe Ligji i Pagave e vrasin shpresën e secilit zyrtar shtetëror, për një karrierë të mirëfilltë profesionale dhe për një pagë të dinjitetshme. Nuk ka vend në kontinent, i cili në këtë krizë ekonomike dhe pas pandemisë i zvogëlon pagat. Sot, gjyqtarët, prokurorët e një numër i madh i zyrtarëve publikë janë në ethe dhe të pashpresë nga dy ligje, që në fakt janë sëmundja dhe virusi që i kanë hyrë administratës shtetërore, tash e 20 vjet.
“Kjo qasje e bënë edhe më problematike situatën, duke e ditur se ku jemi si vend dhe si administratë shtetërore. FMN-ja ka pasur kërkesë të drejtpërdrejtë nga Qeveria për rritje të pagës, institucion ky që zakonisht është kundër rritjes së pagave. Pra, nuk ka asnjë reflektim. Qëllimi është që të deformohet sistemi në administratë, të bëhet kapja e shtetit me ligj, të stimulohet nepotizmi, klientelizmi politik e korrupsioni”, ka thënë tutje, Gagica i AAK-së.
Ai shtoi se që 20 muaj i ka mbajtur peng të punësuarit në sektorin publik, duke folur për Ligjin e Pagave, dhe në fund i kalon dy ligje që e vrasin shpresën e secilit zyrtar në administratën publike.
Përndryshe, në konferencën në fjalë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se nuk ka vend as në Evropë e as në Ballkanin Perëndimor, i cili mundohet që me ligj ta kapë administratën shtetërore, ku përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë, 1600 pozita të shërbimit publik në karrierë i kthen në pozita me mandat politik katërvjeçar. Me këtë e bënë një goditje të madhe ndaj shtetit të Kosovës, administratës dhe meritokracisë.
“Qeveria e Kosovës e në emër të reformës e ka deformuar në esencë administratën shtetërore me miratimin e dy ligjeve, që kthen e Kosovën në kohën e UNMIK-ut”, ka shtuar Tahiri.
Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Diellza Kukaj, ka thënë politizimi i administratës ka efekt direkt në përkeqësimin e performancës së institucioneve dhe ka kosto të lartë për mbajtjen e saj në aspektin e arritjes së objektivave strategjike dhe funksionimin e shtetit ligjor. /2LONLINE/