Në konferencën për media të Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), të mbajtur sot, drejtori Nazim Gagica ka thënë se me mbështetje të kryetarit të Komunës së Gjilanit si autoriteti më i lartë ekzekutiv në Gjilan, janë të vendosur që cilësinë në arsim, disiplinën dhe orientimin e të rinjëve në drejtime që kërkohen nga tregu i punës e kemi prioritet.
Drejtori Gagica me këtë rast ka përmendur organizimin e testit të maturës, që siç ka pohuar ai është i bindur në rezultate të larta nga puna e nxënësve, përkundër që Gjilani ka qenë e para komunë, me rregulla të reja të testit.
“Sapo kemi përfunduar pjesën e parë të testit të maturës. Gjilani dhe Ferizaji janë komunat e para në Kosovë që kanë mbajtur testin e maturës. Besojmë në rezultate të nxënësve tanë, sepse kanë punuar me përkushtim dhe kujdes të veçantë”, ka thënë drejtori i DKA-së Nazim Gagica
Ai ka bërë të ditur se në këtë fazë janë duke i planifikuar paralelet, normat, orët mësimore dhe gjithçka tjetër, që viti i ri shkollor të jetë i mbarë konform kurrikulës dhe objektivave të qeverisjes Haziri për suksese, cilësi dhe disiplinë në shkollat e Gjilanit.
Tashmë kjo drejtori ka bërë hapjen edhe të konkursit për bursat komunale që është i publikuar dhe do t’u ndahen studentëve sipas kritereve të përcaktuara dhe i gjithë ky proces do të jetë transparent.
Sfidë të drejtorisë Gagica e sheh rënien e madhe të numrit të nxënësve nëpër shkolla, ku këtë vit janë praktikisht nëntë norma më pak.
“Këtë vit kemi 200 nxënës më pak që iu kanë nënshtruar testit të arritshmërisë, që përcakton edhe numrin e paraleleve në shkollat e mesme të larta dhe njëkohësisht përcakton edhe planifikimin e normave. Nga 200 nxënës që këtë vit i kemi më pak, i bie që nëntë norma ti kemi më pak. Edhe vitin e ardhshëm do të kemi rreth 100 nxënës më pak, por jemi duke punuar që këtë sfidë ta kalojmë me një fleksibilitet dhe pa dëmtuar kuletën e mësimdhënësit të Gjilanit”, ka thënë ai mes tjerash.
Ai tha se kanë filluar vlerësimin e performancës dhe kontrollimin njëkohësisht të punës që bëhet nëpër shkolla me qëllimin pozitiv që praktikat e mira ti ndajmë mes vete dhe sfidat t’i eliminojmë përmes bashkëpunimit të drejtorëve mes vete dhe mësimdhënësve njëkohësisht nëpër shkollat e Gjilanit.
Nazim Gagica ka apeluar tek të gjithë nxënësit që të orientohen në drejtime profesionale dhe profile që do të jenë profitabile për ta gjatë të ardhmes.
“Bëjë thirrje tek të gjithë prindërit dhe nxënësit që të bëjnë zgjedhjen e drejtimeve profesionale dhe të mos vërshojnë në drejtimet gjimnaz e infermieri, sepse tregu i punës në këto drejtime nuk ka vende të lira, kurse drejtimet profesionale dhe profilet që ofron Gjilani janë në raport me kërkesat e tregut dhe garantimit të vendeve të punës në të ardhmen”, ka thënë mes tjerash drejtori Gagica.