“Transparenca dhe llogaridhënia si parakusht i funksionalizimit të demokracisë ka dështuar në Komunën e Gjilanit”, ka thënë Nazim Gagica, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan.
Sipas tij, Gjilani renditet në vendin e 17-të në indeksin e tranparencës buxhetore duke rënë për 9 pozita më poshtë në listën e komunave të Kosovës krahasuar me vitin 2021.
Gagica, që është edhe anëtar i kuvendit Komunal të Gjilanit, ka thënë tutje se mashtrimet deklarative për transparencë dhe llogaridhënie dhe shumë mashtrime tjera elektorale të qeverisjes komunale dolën sheshit që në fillim të mandatit qeverisës.
“Gjilani është në situatë të rëndë. Ka degraduar në secilin segment, në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, ekonomi e infrastrukturë. Kjo mendësi politike që sot qeverisë me Gjilanin e Kosovën, është aksidentale agjenda e së cilës nuk është as Gjilani, as Kosova e as qytetarët”, ka thënë Nazim Gagica i AAK-së së Gjilanit. /2LONLINE/