“Ishte konstatim i përbashkët se buxheti i shtetit për vitin 2024, e varfëron qytetarin, stagnon Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit ekonomik dhe krijon arsye shtesë për ikjen e trurit nga vendi”, ka thënë Nazim Gagica, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan.
Sipas tij, në tryezën e organizuar nga AAK-ja, folën për mungesë të madhe të projekteve kapitale deri sot, e që as me buxhetin për vitin e ardhshëm nuk parashihet të kemi situatë ndryshe nga vitet e fundit në qeverinë Kurti.
“Logjika e grumbullimit të parasë në buxhetin e shtetit në mënyrë që mos të lëshohen ato në projekte kapitale përmes të cilave zhvillohet vendi dhe përmirësohet jeta e qytetarëve, është logjikë që e dëmton Kosovën dhe paraqet telashe të mëdha edhe për investitorë të mundshëm të huaj e po ashtu edhe shqiptar”, ka thënë Gagica.
Ai tutje u shpreh se rritja e pagave dhe e koeficientit, investimi në projekte kapitale, shpërndarja e parave nëpër komunat e Kosovës, investimi në arsim, shëndetësi, kulturë, sport, turizëm, e rrisin mundësinë për zhvillimin e vendit dhe për një të ardhme të qëndrueshme.
“Me këtë mendësi qeverisëse, brenda pak kohe, nuk do të diskutojmë për zhvillim ekonomik por për mbijetesën e Kosovës në aspektin ekonomik, fatkeqësisht”, ka thënë Gagica i AAK-së. /2LONLINE/