“Në 33 vjetorin e pavarësimit të futbollit kosovar, isha i nderuar nga pritja që na bëri drejtori gjeneral i Klubit Futbollistik “Drita”, nga Gjilani, Feti Murseli, nga drejtori sportiv, Valon Zymberi dhe stafi profesionist e shumë i përkushtuar i klubit”, thotë Nazim Gagica, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan.
Ai bëri me dije se me disa nga veteranë të sportit gjilanas, në shënim të ditës kur u zhvillua ndeshja e parë në futboll e organizuar nga Federata e Pavarur e Futbollit të Kosovës, më 13 shtator të vitit 1991, vizituan këtë klub ku u njoftuam për sukseset dhe sfidat me të cilat përballet sporti dhe sportistët tanë.
“Drejtuesit e klubit i urova për sukseset e shënuara dhe e falënderova për ndjenjat dhe krenarinë që ndër vite i ka dhënë sportdashësve tanë e tifozëve të flaktë të saj. Bashkë me disa nga themeluesit e Shoqatës së Sportit Gjilanas të vitit 1991 e këndej, Ajnur Maksut, Skender Hoxha, Rabit Matoshi dhe Elhami Bajrami dhe Agim Ramizi, i uruam drejtuesit e klubit për renovimin e zyreve dhe i uruam suksese të mëtejme si klub”, ka bërë me dije Gagica i AAK-së.
Ai shtoi se i mbetet tani si politikë e si institucione që të jenë shumë më seriozë në raport me detyrimet që i kemi ndaj sportit dhe sportistëve tanë. “Aleanca mbetet shumë e vendosur në mbështetje të kërkesave të tyre sot, e në projekte nesër”. /2LONLINE/