Federata e Futbollit e Kosovës edhe sivjet do të organizojë turneun tradicional në futsall “Adem Jashari”.
Komisioni për futsall i ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e edicionit të 11-të të këtij turneu, i cili do të mbahet më 4 dhe 5 mars në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Pjesëmarrës të turneut të sivjetmë do të jenë Liburni (kampion i Kosovës në fuqi), Prishtina 01 (fitues i Kupës së Kosovës), Shkupi dhe Ulqini.
Shorti për ndeshjet gjysmëfinale do të tërhiqet para hapjes solemne të këtij turneu, derisa ndeshjet do të zhvillohen prej orës 18:00 dhe prej orës 20:00.
Vitin e kaluar trofeun e këtij turneu e fitoi Mabetex Prishtina.