Lirim Mema ishte njëri ndër transferimet më të papritura të afatit kalimtar të dimrit. Reprezentuesi i Kosovës i’u bashkua Dritës në ditët e fundit të merkatos duke e braktisur Flamurtarin e Vlorës.
Anësori 22 vjeçar ka konfirmuar se çështjen me klubin e Flamurtarit nuk e ka mbyllur dhe për mos kryerjen e obligimeve ai do t’i drejtohet gjyqësorit në UEFA për t’i marrë paratë që i takojnë.
“Flamurtari nuk më ka paguar asnjë cent dhe asnjë fjalë e drejtuesve nuk është mbajtur. Po ashtu po injorojnë edhe kërkesat e avokatit. Nuk dua të shkoj në gjyq. Por nëse nuk ka rrugëdalje tjetër, normalisht që do të kërkoj të drejtën time edhe në rrugë ligjore”, deklaroi fillimisht Mema.
Ish-anëtari i Braunschweig në Gjermani bëri gjithashtu një paralele ndërmjet futbollit në Shqipëri dhe atij në Kosovë, derisa theksoi se tifozët në Kosovë janë shumë më të zjarrtë.
“Te Drita jam shumë i lumtur. Klubi është shumë profesional dhe mundohet të shërbejë në maksimum për lojtarët. Ekipi është i mirë dhe kemi cilësi. Shpresojmë që të arrijmë ato që doja në fund të sezonit. Ka dallime në infrastrukturë, por edhe në seriozitetin e klubeve. Po ashtu tifozët janë më të flaktë”, përfundoi Mema.
Ai ishte titullar në ndeshjen e fundit ndaj Vushtrrisë, të cilën Drita e fitoi me rezultat 3-2 në “Ferki Aliu”.