Futboillisti i SC Gjilanit, Edi Basa dhe bashkëlojtarët e tij e dijnë se sa e rëndësishme është ndeshje e radhës ndaj Ferizajt në udhëtim, ndaj duan ta mbyllin në mënyrën sa më të mirë të mundshme.
Anësori i “kuqebardhëve” është shfaqur ne konferencën për media para gazetarëve duke folur në lidhje me përgatitjet për duelin e radhës kampional dhe gjithashtu edhe për fitoren e fundjavës së shkuar, e cila tashmë konsiderohet si e harruar.
“Ne e dijmë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Është ndeshja e fundit për këtë stinori dhe dëshirojmë ta mbyllim në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Dëshirojmë që të rikthehemi të lumtur në shtëpitë tona dhe të jemi të qetë për pjesën tjetër të kampionatit”, tha ai.
“Ndeshjen e kaluar nuk e kam startuar, pasi që kam qenë i ftohur dhe i lënduar. Megjithatë, unë nuk kam mundur të qëndroj në stol dhe mezi kam pritur të futem dhe t’i ndihmoj bashkëlojtarëve të mi, sepse tani e di se sa e rëndësishme është ta fitojmë një ndeshje derbi. Tani jam i gatshëm dhe besoj që do të shfaqi maksimumin edhe në ndeshjen e radhës”, theksoi Edi Basa.
Ballafaqimi ndërmjet Ferizajt dhe Gjilanit zhvillohet të shtunën në stadiumin ndihmës në Ferizaj me fillim nga ora 13:00. /2LONLINE/