Pandemia COVID-19, e njohur ndryshe si koronavirus, është duke shkaktuar pasoja të mëdha financiare te klubet e mëdha evropiane, por gjithashtu edhe në Kosovë, në një vend i cili është pranuar që pak vite në FIFA dhe UEFA.
Për shkak të pandemisë COVID-19, kriza financiare ka dalë në pah te klubet kosovare të futbollit. Madje është përfolur se futbollistëve që luajnë në Kosovë mund t’i ulen pagat, një gjë e tillë e cila është aplikuar te shtete të forta si në Itali dhe Spanjë
Në pesë kampionatet më të mëdha në Evropë, si në Itali, Gjermani, Francë, Angli dhe Spanjë, në disa klube janë ulur pagat, derisa në të tjerat veçse po diskutohet një gjë e tillë.
Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Futbollistëve, Visar Zogiani ka thënë se para uljes së pagave, klubet kosovare duhet të merren me një problem tjetër.
Sipas tij, ulja e pagave për futbollistët në Evropë është bërë me konsultim me ta, teksa në Kosovë, ai thotë se ka klube që janë mbrapa me pagat.
““Shpresoj që kjo gjendje të mos zgjatë edhe shumë dhe sa më parë t’i kthehemi normalitetit.Në shtetet evropiane, pagat janë reduktuar në konsultim me futbollistët të cilët kanë pranuar një gjë të tillë. Këtu te ne është një problem tjetër, sepse ka disa klube të cilat janë mbrapa me paga, e të cilat duhet të kryhen, e më pas të flitet për ulje”, ka thënë Zogiani.
Tutje, ai e kupton se do të ketë vështirësi në pagesat ndaj futbollistëve, por thotë se FFK-ja, klubet dhe një grup punues i Shoqatës mund ta arrijnë një marrëveshje të kapshme për të gjitha palët.