Pesë futbollistë të Dritës dhe trajneri Ardian Nuhiu ndodhen jashtë vendit. Rikthimi i tyre pritet të ndodh shumë shpejtë, ndërkohë që ata do të vetëizolohen dhe nuk do të karantinohen fare në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Drejtori sportiv i klubit gjilanas, Valon Zymberi, ka deklaruar se klubi merr përsipër testimin e tyre para se të hyjnë në Kosovë dhe do të vetkarantinohen.
“Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë presim që të merren me këtë çështje. Lojtarët do të testohen dhe në momentin që dalin negativ, do të vetkarantinohen në Gjilan. Ne do të merremi me testimin e tyre para se ata të lejohen që të hyjnë në Kosovë”, deklaroi fillimisht Zymberi per gazeten ‘Zeri’.
Ai ka deklaruar ndër të tjerash se vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë ishte tejet i vonuar, pasi që kubet janë dashur që të njoftohen më herët për lejimin e stërvitjeve.
“Trajneri Ardian Nuhiu dhe lojtarët Ardian Cuculi, Izair Emini, Bunjamin Shabani, Darko Tofiloski janë në Maqedoninë e Veriut kurse Erion Vucaj ndodhet në Shqipëri. Është dashur që më herët të na njoftojnë për rifillimin e stërvitjeve në mënyrë që të kompletohemi. Së paku një ditë më herët është dashur që të bëhet njoftimi”, ka thënë Zymberi.
Ai më pas ka folur edhe për rifillimin e stërvitjeve, derisa ka thënë se klubi ‘bardhekaltër’ është klubi i vetëm në vend që nuk ka stërvitur në mënyrë kolektive gjatë pandemisë.
“Drita është klubi i vetëm në Kosovë që gjatë kohës së pandemisë nuk e ka kryer asnjë stërvitje pasi që i kemi respektuar rregullat e përcaktuara. Megjithatë, kam besim se do t’ia dalim”, përfundoi Zymberi.