Në Gjilan është mbajtur Konferenca “Sporti dhe Kultura na Bashkon të Gjithëve” e organizuar nga Zyra e Kryetarit të komunës së Gjilanit me drejtoritë përkatëse, Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik, Drejtorinë për Kulturë. Rini e Sport, Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, e në bashkëpunim organizativ edhe me shoqatën Këshillin e Bizneseve të Rajonit të Gjilanit (GRBC), transmeton Portali 2LONLINE.com.
Në këtë takim ishte i pranishëm, edhe i pari i komunës, Alban Hyseni i cili ka folur për ndihmesën që e japin institucionet e komunës, sepse janë të përkushtuara për të mbështetur këta sektorë (sport, kulturë e rini).
Por, ai tha se bazuar në mundësitë e komunës dhe nevojat e mëdha që i kanë këto fusha, ndihma institucionale është e pamjaftueshme, andaj është shumë e rëndësishme që jemi mbledhur sot për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit, për mundësitë ligjore për sponsorizim të këtyre fushave, për mundësitë që i jep ligji i sponsorizimit, për mundësitë për të përkrahur sportin e kulturën.
Hyseni tha se edhe komuna do të jetë e involvuar për ta dhënë kontributin e saj për të ndihmuar, të rinjtë e të rejat, sportin e kulturën në komunën e Gjilanit, andaj ai ka kërkuar nga bizneset e pranishme ta shfrytëzojnë mundësitë që ofron ligji për sponsorizim.
Enver Shabani, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik ka ftuar bizneset që bashkë ta fuqizojmë Sportin, Kulturën e Gjilanit, përmes rritjes së financimit që e mundëson ligji për sponsorizim të këtyre sektorëve.
“Me rritjen e sponsorizimit, përfitojnë të gjithë së bashku, Bizneset-Sporti-Rinia dhe Kultura e Gjilanit”, ka thënë drejtori Shabani, transmeton 2LONLINE.com.
Edhe, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Kushtrim Zeqiri ka folur për dobishmërinë e shfrytëzimit të këtij ligji për të fuqizuar këta sektorë që i mbulon kjo drejtori.
Ai ka folur për punën që ka bërë kjo drejtori për të ardhur deri te kjo konferencë, mbështetjen që e kanë bërë si drejtori për këta sektorë, por edhe për t’i përgatitur, njoftuar, përfaqësuesit e klubeve që të jenë të gatshëm për këtë mënyrë të përkrahjes dhe për ta përfaqësuar vetveten, ndërkohë që ka ftuar bizneset që të ndihmojnë në këtë drejtim, sepse ata nuk humbin asgjë, përkundrazi janë edhe vet përfitues.
“Duke fuqizuar, kulturën, rininë e sportin ju e fuqizoni edhe biznesi tuaj”, ka thënë drejtori Zeqiri, transmeton 2LONLINE.com.
Në emër të klubeve sportive (unionit joformal), Lorik Ilazi ka vlerësuar këtë iniciativë për konferenca të tilla dhe ka ftuar bizneset ta ndihmojnë sportin dhe klubet e Gjilanit përmes këtij ligji sepse dobia është e shumëfishtë.
Ligji për sponsorizim e mundëson këtë, andaj Ilazi tha se bizneset duhet të ofrohen me sportin, nuk duhet të hezitojnë por duhet të ndihmojnë sepse edhe ata do të jenë përfitues por edhe ndikues të drejtpërdrejtë të zhvillimit të sportit në komunë.
Ndërsa, ekonomisti, Gzim Kllokoqi ka elaboruar mjaftë mirë procesin se si të vije deri te një sponsorizim i tillë, duke bërë të ditur se kush mund të përfitojë, çfarë parasheh ligji, si të aplikohet, çfarë lloje dokumente nevojiten, cila është rruga e rregullat që duhet respektuar, cilat janë obligimet e biznesit e cilat të klubeve sportive, cili është roli i institucioneve përkatëse, e shumë informacione të tjera.
Kllokoqi ka thënë se përmes ligjit të sponsorizimit, bizneset nuk humbin nga të ardhurat e tyre, por vetëm se një pjesë të tatimit në fitim që kanë për t’ia paguar ATK-së, mund t’ia japin klubeve sportive, natyrisht duke respektuar të gjitha procedurat e parapara sipas ligjit në fjalë.
Kllokoqi ka bërë të ditur se deri në 30 përqind të tatimit në fitim që duhet paguar shtetit, bizneset mund ti orientojnë ato mejte në mbështetje, sponsorizim të sportit.
Ai shtoi se në këtë mënyrë edhe biznesi përfiton nga sponsorizimi, (marketingu), edhe klubet sportive mjete me të cilat krijojnë kushte për avancim dhe ngritje performance e me këtë përfiton edhe komuna, pasi përftojnë qytetarët e saj, veçmas rinia që merret me sport, transmeton 2LONLINE.com.
Më pas, nga bizneset e pranishme, por edhe nga përfaqësuesit e OJQ-ve të ndryshme, u vlerësua lartë prezantimi i Kllokoqit, por u kërkuan sqarime shtesë që të jetë çdo gjë e qartë për t’u jetësuar kjo edhe në praktikë.
Në fund u tha se do të punohet në këtë drejtim duke u angazhuar të gjithë akterët për t’u jetësuar sa më parë, bashkëpunimi veçmas ai: biznes- sport, edhe në Gjilan, pasi u përmend se në disa komuna kjo po ndodh, duke e shfrytëzuar mundësinë që po e jep ligji në fjalë. /2LONLINE/