FSK në bashkëpunim me institucionet komunale realizojnë shëtitjen me biçikleta me nxënësit nga shkollat e mesme të Gjilanit.
Kuvendi Komunal I Gjilanit në bashkëpunim me FSK-në, respektivisht me Regjimentin e Parë të Këmbësorisë, kanë realizuar aktivitetin sportivo-social “Shëtitje me biçikleta në qytetin e Gjilanit”.
Në këtë aktivitet kanë marr pjesë rreth 100 nxënës nga shkollat e mesme të Gjilanit, Policia e Kosovës dhe klubet lokale të çiklizmit.
Qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë shënimi i Ditës Botërore të Çiklizmit dhe dërgimi i mesazhit për vetëdijësimin e qytetarëve për një jetë më të shëndetshme, një ambient më të pastër në vendin ku jetojmë dhe punojmë.
Aktiviteti ka qenë i kombinuar me ligjërata rreth fushës së Kërkim-Shpëtimit nga instruktorët e FSK-së, pastaj ka vazhduar me ngasje të biçikletave në rrugët e qytetit të Gjilanit duke përfunduar me një drekë të përbashkët në hapësirat e Regjimentit të Parë në Gjilan.
Këtë aktivitet nga afër e kanë përcjellur Drejtoria e Administratës Publike e KK Gjilan, Komandanti i Stacionit Policor të Gjilanit, dhe Komandanti i Regjimentit të parë të FSK-së, të cilat u zotuan për vazhdim të bashkëpunimit edhe në të ardhmen për aktivitete të ngjashme në dobi të qytetarëve tanë, thuhet në njoftimin e Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës. /2LONLINE/