Në hapësirat e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë, ka përfunduar ushtrimi i përbashkët mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Ajovas “International Cyber Security Exercise” pjesë e të cilit ishin Forca e Sigurisë së Kosovës, Universiteti i Prishtinës (UP) , Universiteti i Ajovas dhe kolegje e shkolla tjera të fushës së Teknologjisë Informative (TIK) në Kosovë.
Në Ceremoninë e përfundimit të ushtrimit të pranishëm ishin: Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Rektori i Universitetit të Prishtinës Prof.Dr. Naser Sahiti, zëvendës ministri i Mbrojtjes z. Shemsi Syla, Shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjeneral brigade Jeton Dreshaj si dhe përfaqësues të Universitetit të Prishtinës dhe Gardës Kombëtare të Ajovas.
Përmes video lidhjes direkte këtë ngjarje nga Ajova e përcolli Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Qëllimi i ushtrimit ishte thellimi i bashkëpunimit në kuadër të State Partnership Program (SPP) Kosovë-Ajova në fushën e Sigurisë Kibernetike, ngritja e marrëdhënieve të bashkëpunimit në mes FSK, Universitetit të Ajovas, institucioneve të arsimit të lartë si dhe socializmi dhe përfitimi i përvojave nga ekspertët e kësaj fushe.
ICE është ushtrim vjetor që organizohet nga shteti i Ajovas për shkollat e vendit të tyre, në bashkëpunim me Gardën Nacionale të Ajovas, ndërsa kjo është hera e parë që ky ushtrim zgjerohet ndërkombëtarisht duke përfshirë edhe universitetet e Kosovës dhe FSK.
Planifikimi dhe organizimi i ushtrimit janë bërë nga FSK dhe 168th Cyberspace Operations Squadron nga Garda Kombëtare e Ajovas, në bashkëpunim me Universitetin e Ajovas dhe Universitetin e Prishtinës.
Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkushtuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e Sigurisë Kibernetike dhe ushtrimi i fundit në bashkëpunim me partnerin bilateral Gardën Kombëtare të Ajovas promovon fuqishëm avancimin e komponentit të sigurisë dhe Mbrojtjes kibernetike të FSK-së. /2LONLINE/