“Ditën e Forcës“ FSK-ja e shënoi me manifestimin qendror në kazermën „Adem Jashari“ në Prishtinë, si dhe me aktivitete të tjera si ,Ditë e Hapur, në të gjitha kazermat e saj, në Kosovë.
Manifestimi qendror u mbajt në kazermën „Adem Jashari“ në Prishtinë, në të cilën morën pjesë drejtuesit më të lartë të FSK-së; ku së bashku me ushtarë, nënoficerë, oficerë të FSK-së, të NALT-it, ishin pjesë e saj edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, qytetarë, deputet, personalitete politike, arsimore dhe kulturore të Kosovës, familjarë të dëshmorëve, si dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, ministri Berisha, sekretari i përgjithshëm z. Shkëlzen Sylaj, dhe gjeneralët: Zymer Halimi, Gëzim Hazrolli, Enver Cikaqi, Nazmi Brahimaj, Naim Haziri, Fadil Hadërgjonaj dhe Xhevahir Geci bënë homazhe dhe vendosen lule të freskëta në Obeliskun e Lirisë, dhe më pastaj vizituan të gjitha njësitet e FSK-së, ku takuan nxënësit dhe qytetarët e shumtë të tubuar në pistën e kazermës „Adem Jashari“, si dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe aktivitet e tyre.
Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, z. Rrustem Berisha, duke iu drejtuar mediave në shënimin e ,Ditës së Forcës, pos tjerash tha: „Ne, si Forcë i kemi arrit kapacitet tona në mandatin aktual, dhe shpresojmë se në mandatin tjetër t’i prezantojmë kapacitetet e reja. Si ministër jam jashtëzakonisht i kënaqur që FSK-ja, siç e dini vazhdon të jetë për shumë vite me radhë edhe më tej, Forca dhe institucioni më i besueshëm në vend. Gjatë këtij viti kemi shumë të arritura, ky është edhe një vit, ku FSK-ja ka pasur progres të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve aktuale, avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe partneritetit tonë strategjik. Të gjitha këto rezultate, janë bazë për një mandat të ri të FSK-së. Unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë pjesëtarët e FSK-së, për përkushtim, punën e palodhur, për disiplinën, dhe për prezantimin e shkëlqyeshëm që po e bëjmë në mandatin aktual.
Në fund të fjalës së tij, ministri Berisha, theksoi, se shpresojmë që muaji dhjetor do të jetë muaji i tranzicionit. „Ashtu siç e kemi deklaruar, leximi i parë i tri projektligjeve ka përfunduar, do të jetë edhe një procedurë e rregullt parlamentare dhe ne shpresojmë se muaji dhjetor të jetë muaji i miratimit të tri ligjeve të tranzicionit të FSK-së“.
Ndërsa, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Enver Cikaqi, në fjalën e tij, para mediave tha: „Konsideroj se Forca e Sigurisë së Kosovës ka krijuar kapacitete e veta në këtë mandat, dhe është e gatshme që t’i përdorë edhe në mandatin e ardhshëm. Me plotë bindjen them se ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe detyra të reja në të ardhmen“.
Manifestimi “Dita e Hapur” me rastin e „Ditës së Forcës“ u shënua në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Istog dhe Pomozotin, ku qytetarë të shumtë patën mundësinë që të shohin nga afër pajisjet, demonstrimet pjesëtarëve të FSK-së.