Forca e Sigurisë së Kosovës, përkatësisht Kompania e Deminimit, në bazë të Planit të veprimit për vitin 2019, dje ka filluar sezonin veror të deminimit, duke pastruar zonat e minuara nga dora e njeriut si dhe ato të kontaminuar me bomba kasetore nga ajri. Për mbarëvajtjen dhe fillimin me sukses të këtyre operacioneve, FSK-ja ka marrë të gjitha masat e nevojshme.
Operacionet e para të çminimit për këtë vit, FSK-ja i ka filluar në lokacionin e Soqishtës, Komuna e Hanit të Elezit, për të vazhduar më pas me Komunën e Ferizajt, përkatësisht lokacionin ,,Parku i Lirisë’’ dhe hapësirën e kazermës ‘’Skënderbeu’’ të FSK-së, si dhe lokacionin Babaj i Bokes në Komunën e Gjakovës.
Përveç operacioneve të deminimit FSK-ja ka dy njësi të për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera (EOD), gjithherë të gatshme 24 orë për 7 ditë të javës, për largimin e mjeteve të rrezikshme. Këto njësi kujdestare reagojnë në çfarëdo kohe sapo qytetarët të njoftojnë për praninë e këtyre mjeteve. Deri me tani njësitë e EOD-së kanë intervenuar në 2700 raste dhe kanë demoluar 4350 mjete të ndryshme eksplozive.
Vlen të ceket se Kompania e Deminimit e Forcës së Sigurisë të Kosovës, pas përfundimit të sezonit të deminimit në fund të nëntorit 2018, gjatë periudhës së dimrit është përkujdesur për rifreskimin e njohurive të pjesëtarëve, duke organizuar trajnime në fusha të veçanta, si dhe ka organizuar mbajtjen e ligjëratave nëpër shkolla fillore dhe të mesme të Kosovës, për vetëdijesimin e nxënësve nga rreziku i minave dhe mjeteve tjera eksplozive.
Prej që FSK-ja ka filluar operacionet e deminimit, pra qysh nga viti 2010, njësitë e saj kanë pastruar 29 lokacione, me një sipërfaqe prej 2,191,201 metra katrorë dhe kanë gjetur 3512 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera. Si FSK, kjo na bën të ndihemi krenarë, aq më tepër se asnjë nga specialistë tanë nuk kanë pësuar lëndime gjatë ushtrimit të detyrës, gjë që dëshmon për profesionalizmin dhe motivimin e pjesëtarëve tanë gjatë punës në terren.
Nuk duhet të harrojmë faktin se që nga koha e luftës e deri më sot, 117 veta kanë humbur jetën si pasojë e minave dhe mjeteve tjera eksplozive, ndërsa 467 të tjerë janë lënduar, andaj puna e këtyre njësive është shumë e rëndësishme, dhe me të drejt mund të themi se çdo mjet eksploziv i çminuar është një jetë e shpëtuar.