Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK) Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, sot në ambientet e MFSK-së pritën në vizitë pune kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.
Ministri Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së Rrahman Rama e njoftuan kryetarin e Kuvendit z. Veseli me të arriturat e FSK-së, procesin e transformimit të saj në Forca të Armatosura (FAK), integrimin e komuniteteve pakicë në radhët e FSK-së, trajnimet si dhe objektivat strategjikë të MFSK-së dhe FSK-së.
Më pas, në një takim me mediat lidhur me këtë vizitë, ministri Berisha u shpreh: “Sot në Ministri, unë si ministër dhe komandanti i FSK-së, patëm për vizitë pune kryetarin e Kuvendit të Parlamentit të Kosovës Kadri Veselin.
Gjatë vizitës e njoftuam z. Veseli me të arriturat e FSK-së, me procesin transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, si dhe me objektivat strategjikë që si Ministri dhe Forcë ia kemi venë vetes për vitin 2018. Edhe njëherë shfrytëzoj rastin që ta falënderoj kryetarin për vizitën, të cilën e konsideroj si një respekt dhe nderë që i bëhet Forcës së Sigurisë të Kosovës”.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se FSK-ja është institucioni me reputacionin më të lartë në Republikën e Kosovës, falë pjesëtarëve të saj. Ai falënderoi ministrin dhe gjeneralin për punën e tyre profesionale dhe përmes tyre falënderoi pjesëtarët e FSK-së, duke u premtuar mbështetjen e vazhdueshme për fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të FSK-në edhe në të ardhmen.
“Ne do ta vazhdojmë përkrahjen për FSK-në. Parlamenti është i gatshëm të merr çdo vendim i cili është në interes të sovranitetit dhe të fuqizimit të shtetit tonë. Kjo është ajo që do bëjmë edhe në të ardhmen. Në koordinim të plotë me partnerët tanë perëndimorë, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), do ta kemi edhe vendimmarrjen për transformim të FSK-së. Në ndërkohë, deri në transformimin e plot të FSK-së, do të keni përkrahje të plotë në ngritjen dhe fuqizimin tuaj. Ushtarakët e FSK-së kanë treguar suksese të veçanta në çdo pjesëmarrje. Ata janë dëshmuar edhe në gara ndërkombëtare, duke u shquar me sukses dhe seriozitet. FSK-ja është partner i sigurt i NATO-s dhe e ardhmja e saj do jetë në NATO, – përfundoi kryetari Veseli.