Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së dhe ekspertë të çështjes së sigurisë kanë kërkuar që emri i ardhshëm i kësaj force të jetë Ushtria e Kosovës.
Ahmet Isufi, Rexhep Selimi dhe Ramadan Qehaja kanë vlerësuar se shndërrimi i këtij institucioni në ushtri do t’u jepte kuptim të plotë pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ndërsa ministri Agim Çeku ka thënë se ky emërtim ende mbetet opsioni i parë për pagëzimin e kësaj force.
“Normalisht se ai është opsioni i parë, por unë më shumë jam marr me substancën dhe besoj se substanca është e mirë. Për emër do të shikojmë dhe do ta vendosë kryeministri. Ne jemi duke debatuar. Ka qenë një debat i cili, fatkeqësisht, ka dalë edhe në media, por nuk ka dalë ashtu siç ka qenë. Pra, ky është një proces, i cili është duke u harmonizuar brenda Qeverisë dhe me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, e kjo do të na marrë pak kohë”, ka thënë Çeku nd[]r tjerash për “Epokën e re”.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar për “Epokën e re” se për të marrë kuptim të plotë pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, FSK-ja duhet të bëhet ushtri.
“Duke pasur parasysh se Kosova do të kompletohet me të gjitha institucionet si një shtet funksional, atëherë emri i kësaj force do të duhet të ishte Ushtria e Kosovës, në mënyrë që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës ta marrin kuptimin e vet. Kjo ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon. Po ashtu, ndihmon në misionet ndërkombëtar nëpërmjet integrimit në NATO”, ka thënë Isufi, p[r t[ shtuar se për misionin e ardhshëm të kësaj force do të ketë rëndësi edhe emri.
Edhe zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni, Rexhep Selimi, ka deklaruar se deri më tash është harxhuar kohë kot duke menduar se cili do të jetë emri i ardhshëm i FSK-së. Sipas tij, vetë diskutimi dhe harxhimi i kohës për këtë çështje e konteston të ardhmen e këtij institucioni.
“Nëse Kosova është shtet, FSK-ja duhet të bëhet ushtri, nëse FSK-në nuk e bëjnë ushtri, atëherë të njëjtit e kontestojnë shtetin e Kosovës”, ka thënë Selimi për “Epokën e re”.
Të njëjtin mendim me anëtarët e komisionit për mbikëqyrjen e FSK-së ka edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, i cili ka deklaruar se është bërë vonesë e madhe në këtë drejtim. E për këtë vonesë ai i ka fajësuar vendorët.
“Pavarësisht se jemi të vonuar dhe presionit bukur të madh të bashkësisë ndërkombëtare, mendoj se këtë forcë duhet ta quajmë Ushtria e Kosovës, assesi ndryshe”, ka thënë Qehaja për “Epokën e re”. Ai ka bërë me dije se nëse NATO-ja nuk e dëshiron një gjë të tillë atëherë kjo organizatë duhet të kërkojë edhe nga vendet e tjera të rajonit t’i zvogëlojnë këto forca. “Unë e kuptoj atë se dikush nga lidershipi ynë do të thoshte se lehtë e ka ai të flasë, por si ekspert i çështjeve të sigurisë dhe ekspert ushtarak mendoj se ne duhet të shkojmë në këtë drejtim. Pse vetëm ne të privohemi nga një e drejtë që e kanë të gjitha shtetet këtu në rajon. Nëse nuk duhet të kemi ushtri, atëherë së paku pse NATO nuk kërkon të zvogëlohen ushtritë e shteteve të rajonit ose ato të hiqen në tërësi”, ka deklaruar Qehaja.