“Kosova si pasojë i është nënshtruar një procesi shumë më rigoroz, një udhërrëfyesi shumë më kërkues. Përderisa vendet e rajonit kanë pasur rreth 50 kritere për t’i përmbushur, Kosovës i janë dhënë 101 kritere për t’i përmbushur në mënyrë që qytetarët tanë të mund të udhëtojnë pa viza”, ka deklaruar ministrja e Integrimeve Vlora Çitaku.
Në një bisedë për Zërin e Amerikës, ajo tha se Kosova po i vuan pasojat e problemeve të shteteve fqinje në rastin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Çitaku ka bërë me dije se një mision vlerësues i Komisionit Evropian do të vijë në Prishtinë javën e ardhshme, ndërkaq shprehet se të gjeturat e raportit që ky mision do ta përpilojë do të jenë pozitive.
Ajo thotë se migrimi ilegal nuk është shkak i vonesës së liberalizimit, por është pasojë e gjendjes jo të mirë në të cilën jetojnë qytetarët e Kosovës.
“E vërteta është se askush më nuk po iu ofron azil shtetasve të Kosovës, dhe duke marrë një rrugë të tillë, ata vetëm dëmtojnë buxhetin e tyre dhe rrezikojnë jetën e tyre dhe në mënyrë indirekte ndikojnë edhe në zhagitjen e procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë Çitaku.
Një nga përparësitë dhe objektivat më të rëndësishme të Kosovës, është integrimi evropian. Liberalizimi i vizave dhe negocimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit janë hapa thelbësorë drejt këtij objektivi