Forumi për Transparencë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të Javës për Qeverisje të Hapur organizoi sot tryezë me deputetë dhe përfaqësues civile, me temën “Iniciativat ligjore të qytetarëve”.
Anëtarë të Forumit, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të administratës së Kuvendit të Shqipërisë, diskutuan mbi të drejtën kushtetuese dhe ligjore që krahas qeverisë, presidentit dhe deputetëve, gëzojnë edhe qytetarët për të ndërmarrë dhe depozituar nisma ligjore në Kuvend.
Kryetarja e Forumit për Transparencë, e cila drejtoi punimet e kësaj tryeze, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, theksoi se në praktikën parlamentare të vendit tonë qeveria është sponsoruesi kryesor i projektligjeve në Kuvend, por së fundi gjithashtu ka edhe një rritje të numrit të projektligjeve të iniciuara nga deputetët dhe komisionet.
Ajo e konsideroi të nevojshme iniciativën për informim dhe inkurajim të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese për inicimin e projektligjeve.
“Jemi të vetëdijshëm që mbledhja e 10 mijë nënshkrimeve nga qytetarët paraqet një proces jo të lehtë, megjithatë e vlerësojmë të domosdoshëm hapjen e një diskutimi të tillë, për treguar gatishmërinë e Kuvendit për të mirëpritur nisma të ligjore dhe për t’i nxitur ato”, theksoi kryetarja Kryeziu Hyseni.
Deputetja Blerta Deliu Kodra, njëkohësisht anëtare e Forumit për Transparencë, theksoi nevojën e rritjes së angazhimeve të brendshme për të stimuluar iniciativa nga ana e qytetarëve. Ajo tha se për të rritur angazhimin qytetar në këtë drejtim duhet eliminuar barrierat eventuale dhe shpeshtuar debatet e diskutimet mbi këtë të drejtë.
Anëtari tjetër i Forumit, deputeti Driton Selmanaj, foli gjithashtu mbi rëndësinë e lehtësimit të një procesi të tillë, duke thjeshtësuar procedurën, që nga nisma për mbledhjen e nënshkrimeve, deri te verifikimi i tyre. Selmanaj tha se për të arritur këtë objektivë nevojitet rishikimi i bazës ligjore që rregullon këtë fushë.
Deputeti Hydajet Hyseni Kaloshi, pasi vlerësoi lart iniciativën për hapjen e temave të tilla për diskutim, inkurajoi të gjitha palët që të rrisin angazhimet për të krijuar kushte më të lehta në këtë drejtim.
Drejtori i Drejtorisë për Çështje Ligjore dhe Procedurale në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Xheladin Hoxha, paraqiti aspektin juridik i cili u mundëson qytetarëve të ndërmarrin nisma ligjore. Ai bëri të ditur gjithashtu se nga viti 2001 në Kuvendin e Kosovës janë depozituar gjashte nisma ligjore nga qytetarët.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Violeta Haxholli nga KDI dhe Albana Rexha nga organizata D+, potencuan rëndësinë e informimit qytetar lidhur me mundësinë e ndërmarrjes së masave të tilla dhe hartimin e doracakëve informues mbi këtë të drejtë. Ata po ashtu u angazhuan për të dhënë kontributin e organizatave që përfaqësojnë.
Nga Kuvendi i Shqipërisë, drejtoresha Momoza Arbri njoftoi të pranishmit mbi bazën ligjore e cila ekziston në Shqipëri dhe e cila u jep të drejtën e qytetarëve për të ndërmarrë nisma ligjore dhe për t’i depozituar ato në Kuvend. Ajo po ashtu ndau me pjesëmarrësit informacione mbi nismat të cilat kanë gjetur mbështetjen e Kuvendit dhe si të tilla janë miratuar nga deputetët.
Pas përfundimit të diskutimeve, pjesëmarrësit e tryezës vizituan Punëtorinë e sotme për Demokraci – Demos-ti, e cila organizohet në kuadër të Programit të Kuvendit për Edukim Qytetar dhe bashkëbiseduan me nxënësit pjesëmarrës.
Punëtoria u vizita gjithashtu edhe nga drejtori i NDI-së për Evropë, Robert Benjamin. /2LONLINE/