(2L ONLINE) -Në një reagim të Forumit të Gruas të LDK-së të nënshkruar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi i bëhet thirrje Prokurorisë së shtetit që ta hetojë punësimin e gruas së Qemajl Mustafës në PTK.
“Forumi i Gruas i LDK-së, Dega në Gjilan, ngreh zërin e protestës pas një informate shumë të besueshme se ish Kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, ka punësuar gruan e tij në PTK duke anashkaluar çdo procedurë dhe atë duke anashkaluar femra me kualifikime shumë më të avancuara se sa gruaja e ish kryetarit të komunës”, thuhet në këtë reagim të grave të LDK-së.
“Ne jemi thellë të brengosura nga shkelja që ju bë institucionit të konkursit në PTK, e ku u punësua gruaja e Qemajl Mustafës, dhe u eliminuan femra larg më të përgatitura profesionalisht e të cilat në pamundësi që të bëjnë diçka më shumë janë drejtuar tek ne për t`i mbrojtur të drejtat e tyre, ngase ato të vetmen shpresë e shohin tek LDK.
Ne duke parë këto shkelje të cilat po ndikojnë negativisht tek qytetarët dhe në pamundësi që të ndikojmë në stopimin e këtyre padrejtësive ku nepotizmi është në çdo institucion që drejtohet nga ish partia në pushtet, i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që sa më parë të marr masa dhe të hetoj këtë rast, në të kundërtën jemi të detyruara t`i drejtohemi EULEX-it dhe përfaqësive diplomatike të shteteve mike tona.
Sa është e turpshme aq është edhe mekët që t`ia mohosh të drejtën më elementare një femre e cila ka bërë mundin që të shkollohet dhe sot në vend të saj vije dikush e pa përgatitur për te vend, por që është pjesë e klanit që kanë uzurpuar çdo institucion dhe kompani publike, njerëz këta që edhe diellin po mundohen të na ndalin.
Ne do të dalim edhe publikisht në mbrojtje të kësaj të drejte me organizimin e ndonjë proteste që t1i thuhet Stop Nepotizmit një herë e përgjithmonë”, thuhet në fund të reagimit të Forumit të Gruas së LDK-së së Gjilanit. /2L ONLINE/