Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, ka organizuar Konventë me gratë gjilanase, e cila është përgatitore për zgjedhjet e 17 tetorit.
Në këtë Konventë ka marrë pjesë Nënkryetari i Parë i LDK-së në nivel qendror, njëherësh kryetar i Degës dhe i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetarja e FG të LDK-së në Gjilan, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe qindra gra gjilanase.
“Sot jemi bashkë që të tregojmë angazhimin dhe përkushtimin e gruas gjilanase dhe po takohemi duke shprehur synimin tonë të madh për të ardhmen e familjes gjilanase. Konfirmojmë se gruaja ka qenë dhe është faktor determinues i ndryshimeve pozitive, i angazhimeve të përbashkëta, sakrificave dhe sfidave të ndryshme, por edhe i fitoreve të mëdha të LDK-së. FG në Gjilan mbetet faktori dominant i përfaqësimit model të gruas dhe jemi të bindur se do të vazhdojmë të qeverisim. Formula e fitoreve të LDK-së dhe kryetarit Haziri, është formulë e besimit qytetar, ndryshimeve pozitive, ekipit fitues dhe ekipit unifikues”, ka thënë kryetarja e FG të LDK në Gjilan, deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Nënkryetari i Parë i LDK-së në nivel qendror, njëherësh kryetar i Degës dhe i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka falënderuar gratë e Gjilanit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj LDK-së për fitoret plebishitare.
“Kjo Konventë madhështore e Forumit të Gruas, si parapërgatitje për zgjedhjet e tetorit, është garancë e fitores edhe për mandatin e ardhshëm. Së shpejti, do ta mbajmë edhe Konventën e madhe të Degës së LDK-së në Gjilan, ku do të dalim me politikat programore për mandatin e ardhshëm qeverisës, me listën e kandidatëve për Asamble, e cila do të jetë absolutisht më e mira në Kosovë. Në këtë Konventë, do të dalim me emrin konsensual të Degës, i cili do t’i prijë ekipit të madh drejt fitores plebishitare të LDK’së në Gjilan, në zgjedhjet e 17 tetorit. Ju falëmnderit shumë!”, ka thënë Haziri. /2LONLINE.com/