Kuvendi Komunal i Bujanocit ka mbajtur seancën konstituive dhe ka zgjedhur udhëheqësinë e re të qeverisjes lokale në krye me Shaip Kamberin dhe Jonuz Musliun.
Pas verifikimit të mandatit të 41 këshilltarëve komunal është zgjedhur për kryetar të kuvendit komunal Jonuz Musliu ndërsa sekretar Selami Mustafa.
“Ky besim që mu dha sot nuk është privilegj por është një përgjegjësi që po marrim bashkërisht për zhvillimin e komunës së Bujanocit”, theksoi Jonuz Musliu.
Seanca e parë vazhdoi me kryetarin e porsazgjedhur, Jonuz Musliu i cili propozoi zgjedhjen e kryetarit të komunës, zëvendës/kryetarin dhe anëtarët e këshillit komunal, shkruan Titulli.com.
Në votim të fshehtë 24 këshilltarë kanë zgjedhur për kryetar të komunës, Shaip Kamberi dhe zëvendës të tij Stojanqa Arsiq.
Kamberi duke falënderuar për besimin që i dhanë për të udhëhequr komunën në mandatin e ardhshëm katërvjeçar tha mes tjerash se do të ndihmojë bujkun, shkollat e në përgjithësi zhvillimin.
“Na duhet një përkushtim shumë i madh i secilit prej nesh për obligimet që i kemi. Ne duhet me seriozitetin më të madh ti qasemi obligimeve që i kemi marrë”, deklaroi kryetari i komunës Bujanocit Shaip Kamberi.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Stojanqa Arsiq i cili premtoi një bashkëpunim të ndërsjellë mes partnerëve të koalicionit për të mirën e qytetarëve pa dallime.
Qeverisja komunale në Bujanoc është formuar në bazë të marrëveshjes së koalicionit të listës PVD-UDSH Shaip Kamberi, Grupi i Qytetarëve Dr Stojança Arsiq, Lëvizja e Progresit Demokratik – Jonuz Musliu, lista serbe-SPS-JS-SPO dhe Partia e Njësuar Rome të cilët në tërësi përbëjnë 24 këshilltarë.
Pranë kuvendit komunal të Bujanocit opozitë do të jenë 10 këshilltarët e Partisë Demokratike të ish kryetarit të komunës Nagip Arifi dhe 7 këshilltarë nga lista e Partisë Përparimtare Serbe të cilët mundë të jenë një kontroll i vazhdueshëm i qeverisjes së porsaformuar.
video: Titulli.com