Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Komunën e Mitrovicës shpërndanë mjete financiare si dhe pako higjienike dhe ushqimore për disa familje në nevojë të kësaj komune.
Të gjitha këto mjete të cilat dje u shpërndanë për 10 familje të Mitrovicës, pritet që në ditët në vijim të shpërndahen dhe për 5 familje të tjera nga komunitetet e kësaj komune, u mblodhën falë aksionit vullnetar“ Vrapo me FSK-në Mitrovica 2017”, i cili u organizua gjatë muajit prill nga ushtarët dhe oficerët e FSK-së.
Ky aktivitet u realizua falë bashkëpunimit të mirëfilltë të FSK-së me Komunën e Mitrovicës, ku njerëzit kompetent të komunës gjatë tërë kohës i kanë mbështetur pjesëtarët e FSK-së në përzgjedhjen e familjeve me në nevojë për t’i ndihmuar.
Gjatë shpërndarjes së këtyre fondeve, përveç oficerëve të FSK-së, i pranishëm ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale z. Qazim Nimani së bashku me stafin e tij, i cili përgëzoi FSK-në për realizimin e këtij aksioni dhe njëherësh falënderoi pjesëtarët e saj për ndihmën e ofruar, të cilën e vlerësoi si mjaft të nevojshme për qytetarët e kësaj komune.
Familjet që përfituan nga ky aksion ishin mjaft të lumtura, për vet faktin se po ndihmoheshin, pikërisht, nga pjesëtarët e FSK-së të cilët gëzojnë respekt të veçantë jo vetëm në komunën e tyre por tek të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kjo, nuk është hera e parë që pjesëtarët e FSK-së organizojnë një aktivitet të tillë dhe sigurisht se nuk do të jetë as hera e fundit, pasi që oficerët e rinj të FSK-së premtuan që më përkrahjen e vazhdueshme të eprorëve të FSK-së dhe më vullnetin e mirë të tyre, ata do të vazhdojnë t’i përkrahin qytetarët e vendit edhe në të ardhmen.