Paratë e privatizimit po shihen si alternativë për rimëkëmbjen e ekonomisë gjashtë vjet pas pavarësimit të Kosovës. Atyre pritet t’u shtohen edhe kontribute të donatorëve dhe mjete tjera nga burime alternative që i pari i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ditë me parë tha se do të derdhen në një fond investiv “për zhvillim të ekonomisë, ndërrmarrësisë dhe krijimin e vendeve të punës”, shkruan Tribuna
Por, njohës të ekonomisë në vend kanë mendime të ndryshme rreth nevojës dhe mundësisë së krijimit të një fondi të tillë. Disa e vlerësojnë si të pakuptimtë pasi e njëjta qeveri nuk ka lejuar krijimin e fondeve tjera të ngjashme me arsyetimin për mungesë fondesh. Madje shihet se i gjithë ky angazhim i kryeministrit po bëhet në prag zgjedhjesh dhe nuk pritet të ketë efekt zhvillimor por vetëm sa do të joshë votuesit për të fituar edhe një mandat.
Njohësit e ekonomisë tërheqin vërejtjen për rrezikun që mund të vijë nga investimi i mjeteve në mirëbesim të privatizimit dhe atyre të pensioneve, nëse edhe këto të fundit synohet të futen në të njëjtin fond. Megjithatë, si nismë vlerësohet të jetë e mirë nëse arrihet të konkretizohet sigurt dhe të mos rrezikojë paratë e qytetarëve.