(Korrigjuar) Shteti i Serbisë, konkretisht prokuroria e këtij shteti ka ngritur aktakuzë kundër Kushtrim Kadriut, themelues i Lëvizjes Qytetare Vatra dhe ish koordinator i zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, aktualisht pjesë e subjektit politik Nisma.
Këtë e ka bërë të ditur vet Kadriu. Sipas tij, ai akuzohet se përkrahë grupe te ish pjesëtarëve të UÇPMB-së, të cilët veprojnë në Kosovë dhe gjithashtu akuzohet për thyerje të rendit kushtetues të Serbisë, duke mos iu bindur rendit shtetëror, si dhe për nxitje të popullatës shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për shkëputje nga Serbia.
“Jo një aktakuzë, por edhe njëmijë të tjera nuk do të mund ta ndalin rrugën tonë për liri e bashkim me Republikën e Kosovës. Kauza jonë është e drejtë dhe e shenjtë, është vullnet i popullit. Vullnet të cilin nuk mund ta ndalë as BIA e as UDB-ashët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kosovë dhe të cilët për çdo ditë bartin informacione për Serbi”, thotë Kushtrim Kadriu.